Vaksina pritet të jetë e detyrueshme në Botërorin e vitit të ardhshëm. Katari, i cili është vendi organizator i kupës së botës për vitin e ardhshëm, do të bëjë vaksinën me detyrim për të gjithë lojtarët që do të marrin pjesë në kompeticionin madhor.
Autoritetet shëndetësore të Katarit ia kanë komunikuar këtë vendim, qeverisë së futbollit botëror, FIFA që të garantojë vaksinimin e të gjithë lojtarëve me të dyja dozat.
Me herët, Katari ka njoftuar se edhe tifozët që do të marrin pjesë në këtë kompeticion nëntorin e vitit tjetër,duhet të jenë të vaksinuar, dhe tani më kjo gjë do të jetë edhe për lojtarët dhe stafet e kombëtareve respektive.
Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë Katari nuk do të lejojë që lojtarët të marrin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit. Sakaq, një vendim të tillë e ka marrë edhe Premier Liga, e cila ka kërkuar vaksinimin e të gjithë lojtarëve deri më 1 tetor.
Pavarësisht vendimit nga qeveria e futbollit anglez, kanë lojtarë që ende i rezistojnë vaksinës Covid-19, përfshirë yllin e Arsenalit dhe Zvicrës, Granit Xhaka. Kupa Botës do të mbahet mes 21 nëntorit dhe 18 dhjetorit të vitit të ardhshëm në Katar. /abcnews.al