Vaksina ruse: Sputnik V do të prodhohet në Gjermani

schedule08:40 - 16 Mars, 2021

schedule 08:40 - 16 Mars, 2021

Sipas deklaratave të saj, Rusia tani dëshiron që vaksina e saj Sputnik V të prodhohet në Gjermani. Tashmë janë lidhur marrëveshje me disa firma në vendet e BE-së, u tha. Megjithatë, vaksina nuk është lejuar ende në BE.

Vaksina ruse Sputnik V pritet të prodhohet edhe në Gjermani. Kreu i fondit shtetëror të investimeve direkte RDIF, Kirill Dmitriev, tha, sipas agjencisë Interfax, se vendi i tij ka arritur një marrëveshje me sipërmarrjet për këtë. Por ai nuk përmendi emra.

Marrëveshje ka edhe me firma në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Qëllimi është të garantohet shpërndarja e vaksinës ruse në vendet evropiane, pasi ajo të jetë licensuar për Evropën. Bisedime ka edhe me kompani të tjera për të shpërndarë vaksinën në ato vende që përdorin Sputnik V edhe pa miratimin e BE, tha Dmitrijev.

Shqyrtimi mund të zgjasë tre muaj

Sputnik V aktualisht nuk është aprovuar ende në Bashkimin Evropian (BE), Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) ende po e studion. Italia kishte njoftuar që para një jave se firma Adienne Srl. në Lombardi do ta prodhojë Sputnik V.

Te vaksinat kundër Covid-19 të Biontech/ Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca të miratuara deri tani nga EMA, procesi i miratimit zgjati midis disa javësh dhe tre muajve.

Sputnik është lejuar tashmë në Hungari

Rusia e lejoi përdorimin e vaksinës së saj kundër Coronas verën e vitit të kaluar – madje edhe para se të përfundonin provat klinike. Kjo shkaktoi skepticizëm ndërkombëtar në lidhje me efektivitetin e vaksinës. Sipas një studimi të botuar në revistën “The Lancet”, Sputnik V ka një efektshmëri prej 91.6 përqind ndaj infeksioneve të Coronas me simptoma.

Sipas të dhënave ruse, vaksina ruse është aprovuar tashmë në pothuajse 50 vende, duke përfshirë Hungarinë, pa miratimin e EMA. Kremlini në Moskë u ankua se regjistrimi i Sputnik V në BE po politizohet.

EMA në mbledhje të posaçme për AstraZenecan

Pas informacionevetë reja për trombozë në venat cerebrale tek personat e vaksinuar, qeveria gjermane i pezulloi vaksinimet Astrazeneca si masë paraprake. Ky hap erdhi pas një rekomandimi të Institutit Paul Ehrlich, përgjegjës për lejimin e vaksinave në Gjermani. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha në Berlin se kjo ishte thjesht “masë paraprake”. Ai theksoi se gjëja më e rëndësishme për besimin te vaksina ishte ndjekja e rekomandimeve profesionale. Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) tani do të vendosë nëse ngjarjet e reja do të ndikojnë në lejimin e vaksinës.

EMA do të diskutojë për vaksinën në një takim të veçantë të enjten. Agjencia njoftoi se aktualisht po heton shfaqjen e trombozës në një numër të vogël njerëzish. Sidoqoftë, ekspertët janë ende të bindur se përfitimet e vaksinimit me medikament janë më të mëdha se rreziqet nga efektet anësore. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë konsultime./DW

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!