Vaksina ruse dhe kineze? Robert Aliaj: E vërteta e hidhur, në Shqipëri jo të gjithë janë të barabartë

schedule21:16 - 25 Shkurt, 2021

schedule 21:16 - 25 Shkurt, 2021

Monolog nga Robert Aliaj

Më në fund, duhet ta shohim të vërtetën në sy: Kovidi është këtu për të ndenjur gjatë. Ai do i bjerë botës përqark çdo vit. Ai mund të zërë dhe ata atë që kane kaluar një herë. Ai nuk pyet për moshë. Ai është i pabesë.

E vetmja mënyrë për t’ju kthyer normalitetit është vaksina. Por në Shqipëri, kur flasim për vaksinën, gjithçka është e paqartë.

Sado që të na mbështesë BE-ja, ne do të jemi të fundit që do të marrim vaksinën, sepse NE nuk jemi në BE!

Serbia ka vaksinuar mbi 10% të popullsisë me vaksina ruse e kineze. Filozofia e Kryeministres serbe është kjo: nëse vaksinat funksionojnë, nuk ka rëndësi nga vijnë! Në Shqipëri nuk ka asnjë debat publik për të konsideruar vaksinën kineze ose atë ruse.

Ne kemi vetëm vaksina të falura, dhe asnjë vaksinë të blerë. Ne nuk e dimë kur do vinë realisht vaksinat e porositura të shtetit shqiptar.

Ne nuk kemi asnjë studim për të kuptuar humbjet ekonomike që vijnë nga vonesa në vaksinim.

Përvoja na ka treguar që shteti shqiptar nuk mund të garantojë barazi e drejtësi në shpërndarjen e vaksinave. Kushtetuta, nuk njeh qytetarë të privilegjuar, as “personalitete”, as pushtetarë apo milionerë.

Në Shqipëri, sipas Kushtetutës të gjithë jemi të barabartë, por e vërteta e hidhur është se disa janë më të barabartë se të tjerët.

Sidomos kur vjen puna te një vaksinë që bën dallimin midis jetës e vdekjes.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!