Vaksina kundër HPV/ Daja: E kanë marrë 7 mijë vajza adoleshente

schedule15:20 - 28 Prill, 2024

schedule 15:20 - 28 Prill, 2024

Vaksina që parandalon kancerin e qafës së mitrës është marrë  nga rreth 7 mijë vajza të moshës 14 deri në 20 vjeç.

Rreth katër muaj nga zgjerimi i fushatës me këtë grupmoshë sipas   specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik janë aplikuar më shumë se  gjysmat dozave të planifikuara. Ndërkohë rreth 75.6% e 13 vjeçarëve në vend  kanë aplikuar vaksinën kundër  HPV.

“Ne e menduam se mund të vaksinoheshin rreth 10 mijë persona, 7 mijë janë aplikuar, nëse do të duan të tjera kemi goxha doza rezerve tek kjo grumpshë nga 14- 20 vjeç. Efekti maksimal i kësaj vaksine është kur jepet deri në moshën 20 vjeç, me rritjen e moshës efekti zvogëlohet”,u shpreh Rovena Daja, përgjegjëse e programit të vaksinimit, ISHP.

Ndonëse është më e reja në  kalendarin e detyrueshëm, por specialistët e shëndetit publik në javën botërore të imunizimit thonë se është një prej vaksinave të përthithura shumë mirë nga popullata. Pjesa më e madhe e  rasteve me  kancer të qafës së mitrës sipas mjekëve janë rezultat i infektimit nga virusi i papilomës humane i cili mund të parandalohet përmes vaksinimit.

“Në vende si Anglia apo Kanadaja që kanë kryer studime dhe  kanë mbi 10  vjet që kanë aplikuar këtë vaksinë është  parë që nuk kanë  asnjë rast me HPV, se ato janë të mbrojtura nga të gjitha variantet e HPV në qarkullim. Ne presim pas 10 vitesh nëse do të kryhej një studim ISHP duhet të gjej tek këto vajza mos kemi prani të HPV”, tha Rovena Daja, përgjegjëse e programit të vaksinimit, ISHP.

Vaksina që aplikohet në vendin tonë është katër valente dhe përmban shtamet kryesore të viruseve që qarkullojnë në Shqipëri dhe në Europë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!