Vaksina kundër COVID 19 mund të jetë gati në vjeshtë

schedule20:08 - 21 Mars, 2020

schedule 20:08 - 21 Mars, 2020

Kreu i firmës bioteknologjike gjermane në Tybingen, CureVac, Franz Werner Haas ka bërë të ditur, se nga vjeshta është i mundur furnizimi i dhjetëra mijëra vetëve me një vaksinë kundër virusit Korona. Të dhënat përkatëse për këtë do të jenë gati në tremujorin e tretë të vitit, tha Haas për revistën gjermane „Wirtschaftwoche” – Java Ekonomike.

“Nëse të dhënat janë të mira, dhe autoritetet japin OK-in e tyre, atëherë mund të fillojmë që këtë vit me një studim të gjerë.” Dhjetëra mijëra vetë mund të marrin ndërkohë vaksinën, tha Haas. “Nëse vaksina për masën e gjerë është në dispozicion këtë vit apo në vitin 2021, kjo varet nga konkluzionet e studimeve klinike dhe vendimi i autoriteteve përkatëse.”

Në një repart ekzistues mund të prodhoheshin sipas tij „në vit 200-400 milionë doza vaksine” kundër virusit Corona. Faza e parë e prodhimit ndërkohë ka filluar. CureVac, që së fundmi mori nga Bashkimi Europian 80 milionë euro mbështetje, kërkon ta përdorë investimin e BE për zgjerimin e reparteve të prodhimit.

Në vitin 2022 zgjerimi i repartit mund të jetë në funksion. “Aty mund të prodhojmë në vit 1 miliardë doza vaksine dhe më shumë kundër virusit”, tha Haas për gazetën. Reparti mund të përdoret edhe për prodhimin e vaksinave të tjera, në rast të shpërthimeve të ngjashme të epidemive.

Në mes të marsit u bë e ditur, se presidenti Donald Trump ishte përpjekur për të siguruar ekskluzivisht për SHBA një vaksinë kundër Coronës me një shumë të lartë financiare. Pas disa raportimeve në media, firma deklaroi, se nuk ka pasur një përpjekje të tillë të presidentit amerikan./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!