Vaksina e Astra Zeneca, zbulon ndarjen e fortë të BE-së midis Perëndimit dhe Lindjes

schedule12:41 - 12 Prill, 2021

schedule 12:41 - 12 Prill, 2021

Nga Andrea Dudik, Slav Okov& Jasmina Kuzmanovic

Kur entet rregullatore evropianë të ilaçeve, pranuan një lidhje midis vaksinës anti-Covid të kompanisë AstraZeneca Plc dhe një lloji të rrallë të mpiksjes së gjakut, ato përhapën një dozë tjetër skepticizmi në mbarë kontinentin.

Por në Lindjen e varfër të BE-së, dyshimet janë më shumë mbi gjetjet sesa vetë vaksinat.

 

Shumica e anëtarëve perëndimorë të Bashkimit Evropian, njoftuan disa kufizime të përdorimit të vaksinës për grupmoshat më të reja ose e ndaluan atë plotësisht.

E kundërta ndodhi në të gjithë lindjen, me 9 nga 11 vendet anëtare në rajon që vendosën të vazhdonin ta administronin këtë vaksinë tek të gjithë të rriturit.“Le të mos krijojmë panik të panevojshëm”-u shpreh ministri bullgar i Shëndetësisë Kostadin Angelov, ndërsa renditi përfitimet e vaksinës AstraZeneca.

“Le të mos bëhemi pjesë e luftës midis kompanive të ndryshme, pasi kjo gjë është tashmë e dukshme”- shtoi ai. Ish-blloku komunist lindor është shtëpia e pothuajse 1/4 së 440 milionë banorëve të Bashkimit Evropian, dhe po lufton për të zbutur pandeminë.

Për këto vende – të cilat dominojnë listën e 10 vendeve me numrin më të lartë të viktimave nga Covid-19 në raport me popullsinë e tyre-pezullimi i përdorimit të një vaksine që është thelbësore për furnizimet e tyre është i paimagjinueshëm, pasi ato nuk kanë luksin që ta ngadalësojnë procesin e vaksinimit.

Për krahasim, Gjermania ka dyfishuar numrin e vaksinimeve ditore anti-Covid, ndërsa Franca shënoi një moment historik një javë më herët. Bota po mbështet shumë tek vaksina e AstraZeneca për shkak të çmimit më të lirë dhe lehtësisë së përdorimit.

Ajo përfaqëson shumicën e vaksinave të porositura nga 1/3 e anëtarëve lindorë të Bashkimit Evropian. Vaksina transportohet dhe ruhet më lehtë sesa vaksinat e bazuara tek mARN të kompanive Moderna Inc. dhe Pfizer-BioNTech.

Për me tepër,kompania anglo-suedeze ka premtuar të prodhojë deri në 3 miliardë doza brenda këtij viti, duke mos u fokusuar aq shumë tek fitimi. Hungaria, vend që e braktisi programin e përbashkët të BE-së për blerjen e vaksinave, bleu direkt vaksina nga Rusia dhe Kina, ka nxituar të shprehë mbështetjen e saj për vaksinën e AstraZeneca.

“Debati rreth vaksinës së AstraZeneca, duhet të shihet si një luftë tregtare midis prodhuesve të ilaçeve, sesa si mendime me vlerë dhe të vërteta mbi rreziqet e saj shëndetësore”- tha Gergely Gulyas, ministri hungarez iShtetit.

Një ditë më parë, entet rregullatore të BE-së dhe Britanisë së Madhe, thanë se ekzistonte një lidhje e mundshme midis vaksinës së AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut. Megjithëse të dyja theksuan se rreziqet për shumicën e njerëzve janë shumë më të vogla se sa përfitimet, pasi koronavirusi mbetet ngado i shumë-përhapur.

Britania, programi i vaksinimit të së cilës është shumë më përpara se sa pjesa tjetër e kontinentit, tani po rekomandon që njerëzit nën 30 vjeç të marrin një vaksinë tjetër. Në Bullgaria, vendi më i varfër dhe më pak i vaksinuar në BE, vaksinat më të shtrenjta janë përdorur për të vaksinuar grupet që kanë përparësi si mjekët dhe mësuesit.

AstraZeneca është më e disponueshmja për publikun e gjerë. Fushata e inokulimit e këtij vendi ishte dëmtuar tashmë nga një organizim i dobët, si dhe nga një normë refuzimi prej 37 për qind midis 7 milionë qytetarëve të saj për t’u vaksinuar, sipas një sondazhi të muajit marsit nga kompania “Exacta Research”.

Bullgaria do të vazhdojë të administrojë dozat AstraZenca në të gjitha grupmoshat, por do t’i ofrojë një vaksinë tjetër grave që janë më të rrezikuara nga tromboza, kjo në përputhje me rekomandimet e EMA (Agjencisë Evropiane të Barnave).

Në vende të tjera udhëheqësit janë vaksinuar para kamerave me vaksinën AstraZeneca, duke shpresuar të rrisin besueshmërinë ndaj saj, ndërsa qytetarët shqetësohen mbi bllokimet e gjata dhe nga një varg i vazhdueshëm i vdekjeve rekord nga koronavirusi, si dhei infeksioneve të reja.

Në Kroaci, që është midis vendeve që kanë porositur kryesisht vaksinën e Astra Zeneca, kryeministri Andrej Plenkovic tha të enjten se ai dhe udhëheqësit e tjerë e kanë marrë vaksinën, duke theksuar se “vaksina është e sigurt dhe se njerëzit duhet të vaksinohen”.

Në Estoni, kryeministrja Kaja Kallas, që në moshën 43 vjeçare do të konsiderohej në Evropën Perëndimore si një kategori moshe më e rrezikuar nga efektet anësoret të AstraZeneca, shprehu zhgënjimin ndaj partnerit të saj të koalicionit për shtyrjen e vaksinimit me këtë vaksinë.

Qeveria dhe parlamenti vendosën muajin e kaluar që të merrnin vaksinën e AstraZeneca. Ndërkohë kryeministri letonez Krisjanis Karins, deklaroi pak ditë më parë se është më mirë të marrësh cilëndo vaksinë qëështë në dispozicion sesa të rrezikosh të prekesh nga Covid-19.

Për Stjepan Oreskoviç, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Zagrebit, ndarja midis lindjes dhe perëndimit mbi AstraZeneca ka nxjerrë në pah dobësitë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, pandemia ka zbuluar sesi vendet që iu bashkuan bllokut që nga viti 2004, kanë bërë pak për të përmirësuar sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor, të dëmtuara shumë nga mungesa e fondeve dhe eksodi i punonjësve të këtij sektori në Evropën Perëndimore.

“Ajo ka nxjerrë në pah shpërndarjen tradicionale të pushtetit në BE, dhe tregoi se ne kemi ende një qendër dhe periferi. Pra Perëndimin dhe Lindjen”- u shpreh Oreskoviç.