Nuk u rritën me ëndrra për qiellin as nuk e kishin planifikuar këtë rrugë, por sot Adea dhe Alida janë dy vajzat e vetme që pilotojnë helikopterë në bazën ajrore në Farkë.
Dy 26-vjeçaret prej katër vitesh janë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe prej tre vitesh pjesë e Forcës Ajrore.
“Nuk ishte e menduar. Një dëshirë e momentit. Nuk jam nisur për Forcë Ajrore, por pasi është hapur kursi për pilot e kam parë dhe kam shprehur dëshirën. Kam babain që është ushtarak. Isha e mirëinformuar tek kjo pjese”, shprehet pilotja Adea Ahmeti.
“Zgjedhja për tu bërë pjesë e ushtrisë ka qenë zgjedhje spontane ndikuar kryesisht nga rrjetet sociale. Që në momentin e përfundimit të Akademisë së Forcave të Armatosura u emërova në Forcën Ajrore në Rinas dhe aty mësove dëshirën për të fluturuar”, tregon pilotja Alida Bego.
Hynë në një botë të panjohur me vullnetin për të sfiduar veten dhe kufijtë që shoqëria shpesh u vendos vajzave. Piloti, prej vitesh është konsideruar një profesion kryesisht për djem megjithëse këto vajza mendojnë ndryshe.
“Në këtë profesion nuk shihet gjinia po vlerësohet aftësia”, thotë adea.
Fluturimi i parë vetëm ishte plot dyshime.
“Atë ditë që kam pasur fluturimin solo kam qenë duke bërë kontrollet rutinë që ne bëjmë të helikopterit dhe aty kam pasur shumë, shumë emocion, por në momentin që kam hip në helikopter nuk kisha më emocion. Jam kthyer dhe kam parë që nuk kisha njëri tjetër dhe unë thash ouu, unë mund ta bëj”, tregon Adea Ahmeti.
“Emocionet më të mëdha kanë qenë para fillimit të fluturimit sepse aty fillon të mendosh çfarë do ndodhi, mendon idenë që do jesh vetëm, megjithatë në momentin e hipjes në helikopter mbledh mendjen në thonjëza, I thua vetes je gati, në rregull, mund t’ja dalësh dhe vazhdon fluturimin”, thotë pilotja tjetër Alida.
Një profesion sfidues, me përgjegjësi të madhe. Një betejë e heshtur mes frikës dhe guximit.
“Ne kemi një shprehje që thotë se ndjenja e frikës nuk duhet të ekzistojë në fluturim se humb toruan dhe nuk je në gjendje ti përgjigjesh periudhave të emergjencës në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur për këtë arsye përpiqemi ta lëmë frikën në tokë”, shprehet pilotja Alida Bego.
Në ajër gjejnë qetësinë. Aty ku përballen me veten, ku çdo vendim ka peshë dhe çdo sekondë kërkon përqendrim maksimal.
“Duhet të jesh i qetë mendërisht që të përballosh gjithçka që vjen në fluturim”, tregon Alida.
“Gati tu në ajër, nuk tolerohet as gjëja më e vogël, duhet të jesh gjithmonë serioz”, nënvizon Adea.
Më e sigurt në tokë kur nget një makinë apo në ajër kur drejton një helikopter?
Padyshim që në ajër duke pilotuar një helikopter. Në ajër je më e kontrolluar e di se nga do të vijë një helikopter tjetër. Sepse ke komunikimin e vazhdueshëm. Toka s’ta jep këtë siguri. Ti se di çfarë ka në mend të bëjë ai tjetri. Në ajër nuk ka veprime të menjëhershme nga koka jote pa I komunikuar më parë.
Synimi është pilotimi i Coguarit.
“Është helikopter që i përfshinë të gjitha”, thotë pilotja Adea.
“Misionet që merr pjesë Cougar janë një rang misionesh, duke filluar nga kërkim shpëtimi, misionet e fikjes së zjarrit dhe çfarëdo lloj misioni që të jetë e rëndësishme është të jesh pjesë e atij lloj misioni dhe e di që je ti që po bën diçka për të ndihmuar.”, tregon pilotja Alida.
“Shpresojmë koha të jetë sa më e afërt. Dëshira është e madhe”.
“Është një procedurë e gjatë stërvitje dhe studimi. Ndoshta mendoj se kërkon një periudhë e gjatë kohore.
Ne që jemi mësuar me helikopter me një motor as 350 b do ta kemi periudhën e kalimit më të vështirë dhe për ambientimin me instrumentet me peshën e helikopterit dhe teknikat e pilotimit”
Adea dhe Alida janë të vetmet vajza që ngrenë në fluturim helikopterët në bazën e Farkës mes shumë djemsh.
Por pavarësisht gjinisë Forcat Ajrore kanë nevojë për pilot dhe nënkolonel Klajdi Tushe fton të rinjtë të aplikojnë për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
“Interesat tona kombëtare janë të lidhura me zhvillimet që ndodhin pranë NATOS-s pranë sigurisë së përgjithshme të atdheut tonë. Ne kemi shtuar ngarkesën, kërkesën ndaj vetes duke shtuar numrin e operacionalitetit, stërvitjeve dhe misioneve që Ministria e Mbrojtjes mund të marrë për jashtë shtetit kjo kërkon shtim të personelit bashkëlidhur më këto kemi shtim të numrit të helikopterëve që na çon nevojë për burime njerëzore. Njëkohësisht Baza Ajrore e Farkës ofron dhe shërbime të brendshme të vendit që kanë nevojë për tu mbështetur me pilotë e teknikë”, thotë Tushe.
Por nëse deri tani për tu bërë pilot duhet fillimisht të veshësh uniformën ushtarake, shumë shpejt për të përgatitur të rinjtë pritet dhe hapja e shkollës së aviacionit. Ku mund të certifikohesh jo vetëm si pilot helikopteri, por dhe avioni.
“Nëse tani duhet të mbarosh Akademinë Ushtarake, të bëhesh ushtarak, pastaj bëhesh pilot, me hapjen e shkollës së aviacionit një person pasi ka mbarura shkollën e mesme mund të kryej shkollën e aviacionit, të kryejë akademinë atje dhe shkurton këtë periudhë për pilot”, shprehet ai.
Jo çdo sukses nis me një ëndërr fëmijërie. Disa nisin me një vendim të vështirë dhe ndërtohen me guxim.
Alida dhe Adea dëshmojnë se ndonjëherë pasioni lind gjatë rrugës dhe mund të të çojë shumë lart.
“Forca Ajrore ofron kënaqësi, adrenalinë dhe shumë sfida”
“Provojeni se ja vlen”.


