Nga Linda Karadaku
Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, garoi nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje, me sa duket e ka tejkaluar në vota edhe kreun e kësaj partie, Albin Kurti, në rezultatin e tij të vitit 2019. Kurti kishte marrë atëherë më shumë se 180 mijë vota dhe Osmani, këtë herë duket se ka marrë më shumë se 200 mijë vota, duke u bërë njeriu më i votuar i listës.
Osmani ka lënë pas edhe njeriun 2 të Vetëvendosjes Glauk Konjufcën, dhe pas saj janë renditur edhe Vasfije Krasniqi dhe Arben Vitia.
Juristja 39 vjeçare, energjike dhe kokëfortë, ka lindur në Mitrovicë dhe është diplomuar në Prishtinë. Më pas Master e Doktoraturë në Pitsburg të Pensilvenias në Shtetet e Bashkuara. Pedagoge në Universitetin e Prishtinës, ligjëruese në SHBA dhe deputete e Kuvendit të Kosovës për tri mandate.
Vjosa Osmani është gruaja më e votuar në historinë e Kosovës në tre palë zgjedhjet e fundit. Por karriera e saj kishte filluar më parë. Osmani ishte pjesë e përfaqësuesve të Kosovës në paraqitjen e argumentave në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Adoleshentja Vjosa Osmani ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite në atë që është sot. Karriera e saj politike kaloi përmes presidencës. Në vitin 2009, ishte shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Por karriera e saj politike nuk ka qenë e lehtë. Kandidoi përballë Isa Mustafës për të marrë kryesimin e partisë, por nuk ia doli.
Por në vitin 2019, Vjosa Osmani , arrin më në fund t’i prijë listës zgjedhore të LDK-së, si kandidate për kryeministre.
Pas shumë diskutimeve e presioneve publike, partia e Isa Mustafës me konsensus të plotë brenda kryesisë së LDK-së, vendosi kandidimin e saj për kryeministre.
Me një karrierë e akademike dhe politike, me një popullaritet në rritje, Vjosa Osmani, vazhdon të ecë përpara, duke guxuar të përballet me LDK-në e saj dhe duke u afruar gjithnjë e më qartë me Vetëvendosjen. Kundërshton prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen dhe përballet me largimin nga partia.
Fokusi I saj politik është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjyqësori I pavarur.. Është gjithashtu e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës ndërsa më 5 nëntor 2020, mori detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës.
Drejtësia është fusha e saj po aq sa politika. Si pedagoge, ligjëron të Drejtën Ndërkombëtare dhe shtetndërtimin.
Vajza nga Mitrovica ka provuar tashmë se është e vendosur tu shkojë punëve deri në fund. Dhe këtë herë nuk është vetëm, Vetëvendosja e Albin Kurtit, është me të! /abcnews.al