“Vafëria trashëgohet”, familja Zyberi lufton prej vitesh për bukën e gojës

schedule12:48 - 22 Janar, 2020

schedule 12:48 - 22 Janar, 2020

Sa më të thella të jenë zonat e vendit aq më shumë skamje ka. S’ka punë, e për pasojë as para. Shteti e ka më të thjeshtë të japë ndihmë ekonomike në nivele lëmoshe që s’ju del as për bukë jo më të paguajnë fatura apo fëmijët të kenë mbarëvajtje në mësime. “ABC News” ndalet në Kopacëz, një fshat i thellë i Delvinës, në të cilin jeton familja Zyberi. Nga e gjithë historia për fat të keq kuptohet se me shumë të ngjarë jeta e 4 fëmijëve të familjes kur të rriten do të jetë njësoj si e prindërve të tyre.

Familja nuk ka mjaftueshëm as ushqimet bazike, jetojnë në terr prej vitesh dhe me një ndihmë ekonomike qesharake.

“70 mijë lek marim në muaj, nuk na dalin as për bukë. Energjinë elektrike na e kanë prerë”, tregon Jeta nëna e katër fëmijëve.

Pamjet e tregojnë qartë se ushqimet e fundit kanë mbaruar dhe ato çfarë kanë mbetur janë disa fruta, që ua kanë falur, ndërsa oxhaku që në mbrëmje funksionon jo vetëm si ngrohës, por edhe për të ndriçuar kur bie natë.

Fëmijët e mitur janë ata që kanë kosto më të madhe jo vetëm për të sotmen por dhe për të ardhmen e tyre.

“Unë e di si i çoj në shkollë, me shumë vështirësi”, shprehet nëna e fëmijëve.

Mësuesja e një prej vajzave të familjes tregon se sa të vështirë e kanë fëmijët me kushte të tilla jetëse për të mësuar.

“Nuk kanë as tavolinë apo divan. Gjendja e tyre është shumë e vështirë. Mundohemi dhe përpiqemi që ata të arrijnë diçka në shkollë”, thotë mësuesja Florina Roboci.

6 antarët e familjes Zyberi luftojnë për mbijetesen e ditës dhe sigurimin e ushqimit. Ndaj vetvetiu lind pyetja a munden fëmijët me barkun bosh të përqëndrohen dhe të shkollohen për të patur një jetë më cilësore se ata që i sollën në jetë? Besojmë se të gjithë pasi ndoqën këtë histori e kanë një përgjigje, do të jetë e pamundur nëse përgjegjësi kryesor shteti do ti japë vetëm fondin e lëmoshës dhe asnjë mbështetje tjetër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!