Uzuni: Sakrificat më japin forcë, me Manajn e Baren ndihem super në fushë

schedule11:27 - 6 Tetor, 2020

schedule 11:27 - 6 Tetor, 2020

Myrto Uzuni ka përjetuar një ëndërr vjet me Lokomotiva Zagreb, ndërkohë që me mbylljen e sezonit u transferua te Ferencvaros. Sulmuesi anësor ia doli të kualifikohej në grupet e Champions League dhe goglat i rezervuan kundër ekipe si Juventusi dhe Barcelona. Beratasi do ketë fatin të luajë kundër Cristiano Ronaldo dhe Leo Messit.

“Shënova dy gola me vlerë me Ferencvaros, tani është kohë të luaj me Shqipërinë dhe të ndihmoj të marrim rezultate pozitive. Normalisht është gjëja më e bukur të vesh fanellën e kombëtares. Golat më japin akoma më shumë shtysë të vazhdoj përpara”.

“Biseda me Rejën? Më uroi për paraqitjet e bëra dhe golat, ata ndjekin çdo gjë. Kaq, ishte thjesht urim”, shtoi beratasi në konferencën për shtyp të ditës së sotme. “Energjia dhe forca më vijën nga sakrificat që kam kaluar. Vlerësoj çdo seancë stërvitore dhe ndeshje. Kjo më shtyn të vrapoj dhe të luftoj”.

“Moduli 3-5-2? Normalisht puna ime është të shënoj sa më shumë gola me klubin. Sa i takon kombëtares jam shumë i lumtur që jam këtu, por jo për aktivizimin. Normalisht vendos trajneri. Puna ime është të shënoj gola. Besoj se do kem më shumë besim nga trajneri, por duhet të stërvitem fort që t’ia tregoj nivelin tim. Ai vendos në fund”.

“Roli dhe partneri i preferuar? Normalisht ndihem mirë në fushë me Keidi Baren dhe me Manajn, pasi kemi luajtur së bashku edhe me Shqipërinë U21. E njohim mirë njëri-tjetrin. Tani uroj të jap maksimumin edhe me kombëtaren, çfarë kam bërë me Ferencvaros i takon të shkuarës”, tha Uzuni. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!