Edi Reja ka folur në konferencën për shtyp për mediat në prag të sfidës kundër Izraelit.
Tekniku i kuqezinjve ka theksuar rëndësinë e ndeshjes teksa është ndalur të flasë edhe për përgatitjet e grupit pas barazimit ndaj Islandës.
Izraeli?
Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të historive të tjera. Tani ata kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar si atëherë. Është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët që ka janë ofensive dhe të shpejtë, edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet të shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe te nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.
Puna në skuadër?
Ne po punojmë që të mundohemi të propozojmë sa më shumë aksione ofensive. Për shembull duke parë edhe një herë ndeshjen me Islandën, nuk kemi arritur asnjëherë kaq shumë në fundore, por për fat të keq finalizimi që është aspekti i konkretizimit të punës, nuk na del, në një mënyrë apo tjetër. Kemi probleme ne pasimin e fundit, e kemi diskutuar edhe me djemtë. Do të gjej zgjidhje të tjera si ndaj Islandës për të vënë në vështirësi Izraelin. Nga kjo pikëpamje kemi përgatitur mirë skuadrën për të shfrytëzuar situatat. Pastaj në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është një diskutim që mbetet i hapur, se nëse e merr në konsideratë asnjë skuadër nuk ka asgjë për të humbur. Si Islanda, Izraeli e Shqipëri, rënie nuk ka, ndaj tension nga ana jonë nuk ka. Ndaj do të luajmë të hapur dhe do ta bëjnë edhe të tjerët. Ideja jonë është të mos humbim ndeshjen, dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë. Kjo taktikë mund të të vërë në vështirësi, sepse janë të shpejtë, të bëjnë presion në çdo cep të fushës. Kur gjen këto skuadra mund të kesh vështirësi. Por edhe ne kemi forcat tona, ne do të punojmë që t’i vëmë në vështirësi duke marrë në konsideratë vlerat e kësaj skuadre se ka vlera të rëndësishme.
Uzuni-Broja?
Uzuni dhe Broja? Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni u shërua dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta për Brojën. Kush do luajë, do e ruaj për nesër, kur t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive.
Kritikat e Hafizit?
Kush është ky më falni? (I shpjegojnë që është ish-trajneri i Kombëtares) Secili është i lirë të shprehë vlerësimet e veta. Mua nuk më intereson shumë gjykimi i të tjerëve, dua të shoh në shtëpinë time. Ne kemi bërë edhe gjëra të mira, kemi bërë edhe ndeshje të mira. Por jo gjithmonë mund të luash mirë. Në veçanti në këtë moment është e vështirë të kesh intensitetin, jemi në fund të kampionatit. Edhe në Islandë nuk është se ishim shumë brilantë, për fat të keq mund të ndodhë. Urojmë që zgjedhjet e mia të bien mbi lojtarë që të jenë të motivuar por edhe të jenë mirë nga pikëpamja fizike e mendore se nesër duhet të jemi në maksimum. Pasi ata janë një skuadër që vrapojnë për 90 minuta dhe mund të të vendosin në vështirësi. Ne duhet t’i përgjigjemi flakë për flakë, pastaj kritikat janë për çdo trajner. Në Itali janë 50 milionë trajnerë, në Shqipëri sa janë? 10 milionë? Është e drejtë që të ketë kritika se nëse bëhen mirë mund të të simulojnë për të përmirësuar edhe lojën, edhe fazën ofensive. Ne kemi disa siguri brenda skuadrës. Më është krijuar përshtypja se djemtë e miratojnë këtë sistem, përgatitjen, si bëhet ndeshja. Ndaj pyetini lojtarët. Janë zakonisht lojtarët që nuk pranojnë një lloj filozofie, por më duket se është një skuadër e ndërgjegjshme për vlerat që ka dhe e di atë që duhet bërë. Ka disa raste ku nuk ia del. Durim, ccfarë t’i bësh! Nuk është se mund t’i gjuaj me pushkë. Edhe unë do të dëshiroja që të luanim mirë, por jo gjithmonë mund ta bësh, është normale kjo, sidomos në këtë periudhë të kampionatit.
Merkato?
Çdo gjë influencon, ky është momenti më i vështirë për të gjithë, është mbyllur kampionati, transferime, negociata, shqetësime se ku do të shkosh, është ndonjë që është në fund të kontratës dhe nuk e di se ku do të shkojë. Është e qartë se nuk ka qetësi, por duhet ta pranosh këtë situatë. Unë kam detyrën të gjej ata lojtarë të qetë dhe të motivuar, sidomos këtë, por nuk mund t’i bësh asgjë këtyre situatave. Ky është ligji i kësaj punë. Ndonjëri sapo të mbarojmë me 13 do të niset drejt klubit dhe ndonjë ikën me 11. Se kush është i impenjuar në Kupa do të jetë menjëherë në stërvitje. Ndonjëri vjen këtu dhe thotë kam vetëm 2-3 ditë pushime e pastaj nisem përsëri. Pastaj gjëja bëhet e rëndë. Por duhen falënderuar që janë sakrifikuar, bëmë një grumbullim tre javë, u treguan të aftë që dëgjuan trajnerin që u çan dërrasat çdo ditë e do që të impenjohen. Me raste bëhet e pamundur. Kjo është skuadër që pranon, nga aspekti i karakterit është ekip që ka treguar përkushtim ndaj federatës, kësaj kombëtareje, i duhen bërë komplimente.
Kushtet atmosferike?
Në çdo lloj kohe, ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, duhet dëshirë të fitohet ndeshja. Edhe nëse bie borë, për ne dhe për ata. Në të njëjtën mënyrë, duhet bërë një paraqitje e një nivelit të mirë. Shpresojmë ta bëjmë. Mua më intereson paraqitja se kështu bëjmë edhe rezultat, rendimenti në fushë bëhet i rëndësishëm.
Në Islandë ne kemi humbur gjithmonë apo jo? Tani u kthyem me një pikë. Ndaj na shkon për shtat në një farë mënyre. Jemi ende në të njëjtin pozicion dhe kemi ende gjithçka për të luajtur, kemi shanset tona që duhen luajtur në mënyrën më të mirë. Ndaj ka kohë nesër, ka kohë edhe në shtator. Ndaj të shohim të bëjmë mirë, ose të paktën kjo është shpresa dhe vullneti ynë”, tha Reja.