Nga Anne Applebaum “The Atlantic”
Përktheu: Alket Goce-Abcnews.al
Historia ka pika kthese, momente kur ngjarjet ndryshojnë, dhe kur e ardhmja duket papritmas shumë e qartë. Por historia ka gjithashtu edhe momente, ditë dhe javë kur gjithçka duket e përhershme, dhe kur askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Odesa e verës së këtij viti është e tillë, një qytet i mbetur pezull midis ngjarjeve të mëdha.
Paniku që përfshiu qytetin në muajin shkurt, kur po dukej se pushtuesit rusë mund ta fitonin shpejt luftën, duket si një ngjarje e ndodhur shumë kohë më parë. Tani qyteti është i nxehtë, gjysmë i boshatisur dhe po përgatitet për atë që vjen më pas. Disa po përgatiten për më të keqen.
Odesa u përball me një rrethim 10-javor të trupave gjermane dhe rumune gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas një pushtim 3-vjeçar të tyre. Kryetari aktual i bashkisë, Gennadiy Trukhanov, thotë se qyteti po mbush magazinat me ushqime dhe ilaçe, në rast se historia do të përsëritet.
Më 11 korrik, shërbimet ukrainase të sigurisë kapën një spiun rus që po vëzhgonte objektivat e mundshëm në qytet. Më 23 korrik, bombat ruse goditën portet e Odesës, pavarësisht një marrëveshjeje të arritur vetëm një ditë më parë për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas.
Në Odesa, banorët i kushtojnë një vëmendje obsesive luftës. Disa nga ata që takova kanë instaluar aplikacione në telefonat e tyre celularëve, që aktivizohen në sinkron me sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore. Por më pas e fikin sinjalin. Frika normalizohet, derisa bëhet përfundimisht pjesë tjetër e zhurmës në sfond.
Hoteli im kishte një vendstrehim në rastin e sulmeve ajrore, një dhomë pa dritare. Por askush nuk shkon atje gjatë sulmeve ajrore. “Do të jesh me ose pa fat”- më tha portieri. Nuk ka kuptim të përpiqesh që t’i shpëtosh fatit. Ata që nuk mund ta durojnë ketë lloj jete ndodhen jashtë vendit, duke pyetur veten nëse duhet të kthehen apo jo.
Ndërkohë disa nga ata që kanë mbetur këtu pyesin veten nëse duhet të largohen. Kompanitë kanë mbyllur aktivitetet e tyre. Pronarët i pushuan të gjithë nga puna dhe u transferuan në Spanjë, ndërsa investimet janë lënë në pritje. Asgjë nga këto nuk është e rastësishme. Strategjia ruse ndaj Ukrainës synon demoralizimin dhe demotivimin e ukrainasve.
Dhe ajo po funksionon, përveç rasteve të kundërta. Sepse lëngimi i Odesës është sfondi, por jo historia. Jo të gjithë këtu janë të prekur nga apatia, ankthi apo frika e humbjes. Përkundrazi, edhe në këtë moment të çuditshëm, kur koha nuk duket se ia vlen të matet, disa njerëz janë shumë të zënë me punë.
Në gjithë qytetin, studentët, kontabilistët, parukierët dhe çdo profesion tjetër i mundshëm i janë bashkuar asaj që mund të përshkruhet vetëm si një lëvizje sociale e paprecedentë. Ata e quajnë veten vullnetarë, dhe organizatat e tyre, fushatat e shumta të financimit dhe aktivizmi i tyre, ndihmojnë në shpjegimin e arsyes pse ushtria ukrainase ka luftuar kaq fort dhe kaq mirë, dhe pse ka dështuar një përpjekje dhjetëvjeçare ruse për të kooptuar shtetin ukrainas, madje edhe në Odesën kryesisht rusisht-folëse.
Në një peizazh të paralizuar, në një ekonomi në krizë, dhe në një qytet ku askush nuk mund të planifikojë asgjë, vullnetarët po krijojnë të ardhmen. Ata s’kanë frikë nga humbja, rrethimi apo pushtimi, sepse mendojnë se do të fitojnë. Pothuajse nga asgjëja – nga një pallat i rrënuar në pjesën e pasme të një oborri të zbrazët – Anna Bondarenko ka krijuar tashmë një komunitet, një vendstrehim për luftën.
Zyrat e Shërbimit Vullnetar Ukrainas (UVS) përbëhen nga disa dhoma të vjetra me tavane të larta. Bondarenko më thotë se në moshën 15-vjeçare studioi për një 1 vit në një shkollë të mesme amerikane, ku për herë të parë iu desh të shpjegonte se ku është Ukraina dhe çfarë është.
Edhe pse vinte nga një familje ruse, ajo zbuloi se i pëlqente ideja e të qenit ukrainase. Po ashtu ajo u ndesh me konceptin e shërbimit në komunitet. Ajo doli vullnetare në kishën lokale të familjes së saj pritëse në SHBA, në një park kombëtar, në një strehimore për kafshët.
Bondarenko u kthye në shtëpi me dëshirën për të vazhduar punën si vullnetare, dhe u regjistrua për të punuar në disa festivale, përfshirë njërin me rastin e ditës së pavarësisë së Ukrainës. Më pas krijoi UVS, një organizatë që mbledh njerëzit që duan të dalin vullnetarë me njerëz të tjerë që kanë nevojë për ndihmë.
Ekipi krijoi një faqe interneti të zgjuar, kontaktoi me disa njerëz me të njëjtin mendim anembanë vendit dhe organizoi fundjava trajnimi për njerëzit që dëshironin të ishin vullnetarë ose të promovonin vullnetarizmin. Ata mblodhën pak fonde. Pastaj nisi lufta. Shumë njerëz kishin nevojë për ndihmë.
Askush në ekipin UVS të Bondarenkos nuk është mbi 30 vjeç, madje disa janë nën 20 vjeç. Që nga orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, UVS ka marrë mijëra nga më shumë se 100.000 njerëz, nga kontabilistë, shoferë, mjekë, dhe nga më shumë se 900 organizata në të gjithë vendin.
Ekipi i Bondarenkos ka dërguar vullnetarë për të ndihmuar në shpërndarjen e pakove ushqimore për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre, për të pastruar rrënojat pas bombardimeve ruse dhe për ata që janë të gatshëm të ndërmarrin rreziqe reale, të drejtojnë makina ose autobusë në zonat e luftës dhe të evakuojnë njerëzit.
Serhiy Lukachko drejton një faqe interneti të quajtur “Qyteti im”, që dikur merrej me organizimin e aktiviteteve kulturore në Odesa. Sot ai dhe një koleg janë angazhuar në mbledhjen e fondeve në ndihmë të një brigade të ushtrisë ukrainase. Nëpërmjet crowdfunding, ata blejnë jelekë anti-plumb, uniforma mjete të blinduara që kërkohen shumë në vijën e parë të frontit.
I dashuri i Bondarenkos është pjesë e ushtrisë ukrainase. Gjatë kohës që darkuam në një restorant, Bondarenko më tha se ka humbur shumë miq në luftë. Herën e parë që mësoi për një humbje të tillë, e kaloi mbrëmjen duke qarë. Herën e dytë që ndodhi, vendosi të vajtojë për të gjithë në fund “kur të mbarojë lufta dhe pasi të kemi fituar”.
Pasi tani për tani është e zënë. Po kështu janë të gjithë të tjerët në organizatën e saj, dhe kjo energji krijon vrullin e vet, bëhet frymëzimi i saj. Askush në fushën e ojq-ve në Odesa nuk konkurron më për financime. “Të gjithë përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin, dhe situata është vërtet ndryshe”- thotë Bondarenko.
Bondarenko dhe ekipi i saj u frymëzuan nga praktikat amerikane të shërbimit ndaj komunitetit, por ndikime të tjera kulturore janë në veprim edhe në Odesa. Një prej tyre është “toloka”, një fjalë e vjetër e përdorur në gjuhën ukrainase, ruse dhe disa gjuhë baltike për të përshkruar projekte spontane të komunitetit.
Kështu kur dikujt i digjet shtëpia, mblidhet i gjithë fshati për ta rindërtuar. Kur një burrë vdes, fshati e ndihmon vejushën të korrë të korrat e saj. Kurkov, romancieri ukrainas, e ka përkufizuar tolokën si “punë në komunitet për të mirën e përbashkët”. Dmytro Milyutin drejton një parfumeri në Odesa.
Ai dizajnon aroma të personalizuara dhe thotë se e konsideron veten si një njohës “jo vetëm të aromave, por edhe të emocioneve”. Por që kur ka nisur lufta, ai ka shitur 1/5 e koleksionit të tij të parfumeve dhe ka marrë një hua për të siguruar veshje të sofistikuara ushtarake për ushtarët ukrainas që luftojnë pranë Odesës.
Milyutin i kërkoi një stilisti vendas të linte mënjanë biznesin e tij të rrobaqepësisë dhe të fillonin të qepnin së bashku uniforma për ushtarët në lëvizje. Po ashtu ai mban kontakte të drejtpërdrejta me komandantët. Në një godinë gjysmë të braktisur Natalia Topolova më prezantoi me një grup grash që të financuara nga një luleshitës patriot, qepnin veshje të veçanta kamuflazhi dhe kostume për snajperët.
Në një kafene buzë rrugës, dy inxhinierë më shpjeguan se si kishin punuar që të identifikonin saktësisht teknologjinë e duhur optike që u duhej ushtarëve ukrainas për t’i bërë armët e tyre të funksiononin më mirë. Pastaj mblodhën para dhe filluan të importonin armë snajper nga Amerika dhe Japonia.
Përvojat e jetës së këtyre ukrainasve, kanë krijuar tashmë një hendek të madh midis tyre dhe fqinjëve të tyre rusë. Presidentit rus, Vladimir Putin, i pëlqen të thotë se rusët dhe ukrainasit janë i njëjti komb, i njëjti popull. Por mobilizimi civil dhe ushtarak i Ukrainës rreth luftës, është ilustrimi më i mirë i mundshëm se si dhe sa shpejt mund të ndryshojnë kombet dhe njerëzit.