Ushtria siriane çliron Deir Ez-Zorin nga xhihadistët

schedule13:58 - 3 Nëntor, 2017

schedule 13:58 - 3 Nëntor, 2017

Ushtria qeveritare siriane ka marrë kontrollin e Deir ez-Zorit, qytetit të fundit të rëndësishëm që i kishte mbetur Shtetit Islamik. Xhihadistëve u mbetet tashmë kontrolli i jo më shumë 5% të territorit sirian.

Këto janë pamjet e Deir ez-Zorit, qytetit të fundit sirian që kishte mbetur në kthetrat e xhihadistëve të Shtetit Islamik. Ushtria qeveritare siriane mori të premten kontrollin e plotë të qytetit, duke dëbuar e vrarë edhe militantët e fundit xhihadist që kishin mbetur aty.

Lagjja e fundit e që mbahej nën kontroll nga militantët e Shtetit Islamik ishte Al-Havika, aty ku duken vetëm rrënoja. Ushtria siriane po pastron territorin nga minat, bombat dhe të gjitha armatimet e tjera të rrezikshme të mbetura nga beteja më e fundit. Ofensiva e ushtrisë siriane për çlirimin e plotë të qytetit nisi në fillim të shtatorit, pasi forcat ajrore ruse nisën bombardimin e pozicioneve të Shtetit Islamik.

Banorët thonë se kohët e fundit kishin filluar tu mungonin edhe furnizimet bazë për jetesë. Shteti Islamik ua kishte shndërruar jetën në ferr. Nuk kishte as ushqime, as shërbim shëndetsor, as ujë e energji elektrike.

Dikur një prej qyteteve më të rëndësishëm të prodhimit të naftës në lindje të Sirisë, Deir ez-Zori ishte shndërruar prej 3 vitesh në një qendër strategjike të kalifatit. Ishte një nyje e rëndësishme lidhëse mes Rakës kryeqendrës së xhihadistëve në Siri të çliruar muajin e kaluar dhe territoreve të tyre në Irak.

Marrja nga ushtria qeveritare siriane e Deir ez-Zorit tkurr edhe më tej territoret e Shtetit Islamik në Siri. Sipas ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, atyre u mbetet nën kontroll vetëm 5% e territorit sirian dhe tashmë janë përqëndruar lindje, në zonën kufitare me Irakun.