Ushtria ruse fillon një fushatë të re rekrutimi me sloganin “Bëhu burrë i vërtetë”

schedule07:32 - 27 Prill, 2023

schedule 07:32 - 27 Prill, 2023

Një video e re dhe e sofistikuar që ka tërhequr shumë klikime në platformat e mediave sociale ruse tregon një shofer taksie, një roje sigurie dhe një trajner palestre.

“Vërtet për të qenë një mbrojtës i tillë ke ëndërruar?” thuhet në tekstin që shoqëron pamjet e publikuara nga ministria ruse e mbrojtjes.

Videoja me muzikë dramatike, më pas paraqet burra të armatosur me pajisje luftarake duke ecur nëpër një fushë beteje në mjegull të dendur.

“Ti je një burrë i vërtetë! Bëhu një burrë i vërtetë!”, thuhet në reklamë, duke inkurajuar rusët të nënshkruajnë një kontratë pune me ministrinë e mbrojtjes.

Moska ka nisur një fushatë agresive rekrutimi ushtarak me video dhe reklama ndërsa Kievi po përgatitet për një kundërofensivë në Ukrainën lindore.

“Puna jonë është të mbrojmë atdheun”, shkruhet në një nga tabelat e vendosura në kryeqytet, ku shfaqen tre ushtarë nën një qiell të madh blu.

“Një punë e nderuar dhe një rrogë e mirë”, thuhet në një tjetër slogan. Shtatorin e kaluar, Presidenti Vladimir Putin shpalli një mobilizim ushtarak “të pjesshëm”, i pari i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, që tronditi të gjithë vendin dhe nxiti largimin e dhjetëra mijëra njerëzve.

Për të shmangur shpalljen e një raundi të dytë mobilizimi të detyrueshëm, Moska ka vendosur të fillojë një fushatë masive reklamash, duke shpresuar se mund joshë rusët me stimuj financiarë.

Kultura “burrërore”

Autoritetet nuk e kanë bërë të ditur objektivin e tyre, por sipas vlerësimeve të ndryshme, Moska mund të përpiqet të rekrutojë 400 mijë vullnetarë.

“Autoritetet pothuajse me siguri duan të zvarrisin një mobilizim të ri, të detyrueshëm për aq kohë sa të jetë e mundur për të minimizuar pakënaqësitë e brendshme”, thanë agjencitë britanike të zbulimit këtë javë.

Atyre që nënshkruajnë një kontratë me ministrinë ruse të mbrojtjes u premtohet një pagë mujore prej të paktën 2450 dollarë dollarësh.

Një njoftim në faqen e internetit të kryebashkiakut të Moskës specifikon se ushtarakët do të paguhen “të paktën 204,000 rubla (2450 dollarë)” në “zonën e operacionit special ushtarak”, emërtimi zyrtar i Kremlinit për ofensivën në Ukrainë.

Atyre që marrin pjesë në ofensivat ushtarake u premtohet një bonus ditor prej tetë mijë rublash (ose rreth 100 dollarë) dhe të paktën 50000 rubla (ose rreth 615 dollarë) për kapjen ose shkatërrimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të armikut.

Disa vlerësuan nxitjen e rekrutimit.

“Në Rusi, kjo është një shumë e mirë për të mbështetur familjen, madje edhe prindërit”, i tha agjencisë së lajmeve AFP Pyotr Lipka, student 21-vjeçar nga qyteti jugor i Volgogradit.

“Kjo ka kuptim: nëse një person mbron atdheun e tij, pse të mos paguhet?” tha studenti Lipka, duke shtuar se nënshkrimi i kontratës ishte më mirë sesa të mobilizohej.

Fushata në mbështetje të ushtrisë mbështetet në kulturën maskiliste të Rusisë, duke promovuar imazhin e një “burri të vërtetë” si të fortë dhe patriot.

Vitin e kaluar, autoritetet pranuan se u bënë gabime kur u bë thirrja për mobilizimin e trupave të tyre për luftën në Ukrainë. Gjatë mobilizimit kishte raste kur ftesat iu çuan studentëve, të moshuarve ose të sëmurëve të cilët u urdhëruan gabimisht të paraqiteshin në detyrë.

“Shmangia e një tronditjeje të re”

Yevgeny Krapivin, 41 vjeç, shërbeu si ushtar profesionist kur Rusia luftoi me separatistët çeçenë në vitet 1999-2002 dhe do të donte të regjistrohej përsëri për të luftuar në Ukrainë.

Ai tha se oficerët e rekrutimit fillimisht e larguan, duke përmendur moshën e tij si arsyetim. “Pastaj më thanë: ‘Prit. Ka mundësi të marrësh një telefonatë në çdo moment’”, tha ai për AFP-në në qendër të Moskës.

“Unë jam gati”.

Fillimi i fushatës së re të rekrutimit ka përkuar me përgatitjet për festimet e 9 majit që shënojnë fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste, e cila ka arritur një status kulti nën presidentin Putin.

Këtë muaj zoti Putin miratoi një projekt-ligj për të krijuar një sistem dixhital që mund të ndalojë burrat të largohen nga vendi.

Kritikët e Kremlinit thonë se projektligji do të lehtësojë shumë mobilizimin e burrave dhe të shtyp ata që shmangin mobilizimin ndërsa sulmi ndaj Ukrainës vazhdon në vitin e tij të dytë.

Vëzhguesit politikë thonë se Kremlini shtyp pakënaqësitë sociale në Rusi ndërsa problemet ekonomike rriten.

“Autoritetet qartë duan të shmangin një tronditje të re, një stres të ri për shoqërinë”, i tha AFP-së Denis Volkov, kreu i anketuesit të pavarur “Levada Centre”, duke iu referuar një mobilizimi ushtarak.

“Dhe ata kanë zgjedhur një skenar tjetër: të rekrutojnë vullnetarë”, tha ai.

Fushata mund të jetë e suksesshme, veçanërisht në qytetet e vogla të Rusisë, të goditura nga varfëria, shtoi ai.

Qasja e re dukej se po funksiononte, tha Volkov.

“Nuk po shohim një panik të ngjashëm me atë të vjeshtës”, tha ai.

Askush nuk është në radhë për të kaluar kufirin./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!