Ushtria greke qëllon në drejtim të një helikopteri turk

schedule16:30 - 10 Prill, 2018

schedule 16:30 - 10 Prill, 2018

Ushtria greke ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj një helikopteri turk që ishte afruar në vijën kufitare mes dy vendeve. Athina e cilëson këtë ngjarje si provokim të pastër nga ana e Ankarasë.

Momente tensioni janë regjistruar mes Athinë dhe Ankarasë. Ushtria greke qëlloi të shtëna paralajmëruese për të detyruar një helikopter turk të kthehej nga një ishull në detin Egje. Të paktën kështu njoftoi televizioni shtetëror grek, ERT duke cituar Ministrinë greke të Mbrojtjes.

“Helikopteri turk, që fluturonte ulët mbi ishullin e vogël grek, Ro, detyroi trupat greke të hapnin zjarr”, shkruante media shtetërore.

Për këtë ngjarje ka ardhur edhe një reagim zyrtar i autoriteteve greke. Zyra e kryeministrit Aleksis Tsipras bën me dije se “helikopteri turk ka fluturuar gjatë natës me drita të fikuara”. Për këtë është qëlluar me të shtëna paralajmëruese. Megjithë momentet e tensionit, kryeministria greke nënvizon se mjeti fluturues nuk ka hyrë në hapësirën ajrore të shtetit helen. Kjo ngjarje është cilësuar si provokim i pastër nga ana e Ankarasë.

Ndërkohë, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje dhjetëravjeçare lidhur me të drejtat detare dhe ishullin e ndarë të Qipros, pavarësisht se të dyja janë anëtare të NATO-s. Shkurtin e kaluar, roja bregdetare turke goditi një anije të rojes bregdetare greke në juglindje të Egjeut. Ishulli Ro ka një sipërfaqe prej 2,6 kilometrash katrore dhe është i pabanueshëm, përveç një njësie të vogël ushtarake greke, e cila qëndron atje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!