Shtetet e Bashkuara dhe forcat e tyre partnere kanë kryer sulme ajrore në shkallë të gjerë kundër objektivave të grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) në Siri, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).
Sipas Centcom, sulmet u urdhëruan të shtunën nga presidenti amerikan Donald Trump dhe janë pjesë e operacionit të quajtur Operation Hawkeye Strike. Ato përbëjnë një hakmarrje për sulmin vdekjeprurës të ISIS-it ndaj forcave amerikane në Siri më 13 dhjetor.
Centcom theksoi se sulmet kishin për qëllim luftimin e terrorizmit dhe mbrojtjen e forcave amerikane dhe aleate në rajon. “Mesazhi ynë mbetet i qartë: nëse dëmtoni ushtarët tanë, do t’ju gjejmë dhe do t’ju eliminojmë kudo në botë, pavarësisht përpjekjeve tuaja për t’i shpëtuar drejtësisë,” thuhet në deklaratën e Centcom.
Sipas një zyrtari amerikan që foli për CBS News, gjatë operacionit u përdorën mbi 90 municione precize kundër më shumë se 35 objektivave, me pjesëmarrjen e mbi 20 avionëve luftarakë. Në sulme u angazhuan avionë të tipit F-15E, A-10, AC-130J, dronë MQ-9, si dhe avionë jordanezë F-16.
Vendndodhja e saktë e sulmeve dhe numri i viktimave ende nuk janë bërë të ditura.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shkroi në rrjetin social X se “ne nuk do të harrojmë kurrë dhe nuk do të tërhiqemi”, duke iu referuar veprimeve ushtarake.
Administrata Trump e shpalli për herë të parë Operation Hawkeye Strike në dhjetor, pasi një militant i ISIS-it vrau dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan në një pritë në Palmira, në qendër të Sirisë. “Kjo nuk është fillimi i një lufte, por një deklaratë hakmarrjeje,” deklaroi Hegseth në atë kohë.
Para sulmeve të fundit, forcat amerikane kishin vrarë ose arrestuar gati 25 anëtarë të ISIS-it në 11 misione të zhvilluara mes 20 dhe 29 dhjetorit. Misioni i parë i operacionit, më 19 dhjetor, përfshiu një “sulm masiv” të forcave amerikane dhe jordaneze ndaj më shumë se 70 objektivave në Siri qendrore, duke përdorur avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri.
Siria ndodhet në një gjendje të brishtë që prej rrëzimit të regjimit të presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024, çka i dha fund një lufte civile 13-vjeçare. Aktualisht, vendi drejtohet nga Ahmed al-Sharaa, i njohur edhe si Abu Mohammed al-Jolani, pas marrjes së pushtetit nga grupi i tij rebel.
Edhe pse i dobësuar ndjeshëm, ISIS vazhdon të jetë aktiv në Siri, duke kryer kryesisht sulme kundër forcave të udhëhequra nga kurdët në verilindje të vendit gjatë vitit 2025.


