Ushtari koreano-verior dezerton përmes ish-zonës ushtarake

schedule18:00 - 1 Gusht, 2019

schedule 18:00 - 1 Gusht, 2019

Koreja e Veriut ka pësuar një tjetër dezertim në radhët e ushtrisë së saj. Një efektiv ka kaluar ish-zonën ushtarake që ndan dy Koretë duke depërtuar në Jug, ku është marrë nën arrest nga autoritetet vendase.

Autoritetet në Korenë e Jugut kanë ndaluar një ushtar koreano-verior që kishte kaluar ilegalisht ish-zonën ushtarake që ndan dy Koretë. Zyrtarët në Seul deklaruan se ushtari ishte lokalizuar gjatë orëve të natës përmes pajisjeve termike.

Persona të shumtë arratisen nga Koreja e Veriut çdo vit, por dezertimet përmes ish-zonës ushtarake janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të rralla. Në Nëntor të vitit 2017, një ushtar koreano-verior u qëllua nga ish-kolegët e tij teksa përpiqej të kalonte zonën.

Ndërkohë, në incidentin e fundit personi u lokalizua gjatë mesnatës pranë lumit Imxhin, që rrjedh nga Koreja e Veriut drejt asaj të Jugut, përmes ish-zonës ushtarake në perëndim të Gadishullit Korean.

Ai u mor nga trupat koreano-jugore dhe po mbahet nën arrest. Dezertimi vjen një ditë pasi regjimi në Penian testoi dy raketa me rreze të shkurtër veprimi. Mediat lokale bënë të ditur se testet, të mbikëqyrura nga lideri Kim Jong un, ishin për të provuar një sistem të ri lëshimi të raketave të kalibrit të madh.

Gjithashtu, regjimi shtoi se testet ishin edhe një paralajmërim për Korenë e Jugut në lidhje me stërvitjet ushtarake që janë planifikuar të zhvillohen më vonë gjatë muajit me Shtetet e Bashkuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!