Pas kritikave për bastisjen e fundit në kampin palestinez Jenin të refugjatëve, Izraeli po reklamon programin e trajnimit për betejat në zona urbane, i cili u mëson ushtarëve se si të shmangin dëme anësore. Trajnimi bëhet në një bazë ushtarake të sajuar për t’i ngjarë një qyteti palestinez. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein njofton nga baza Tze’elim pranë Rripit të Gazës.
Ushtarët e quajnë Gaza e Vogël dhe mbishkrimet nacionaliste, minaret e xhamive dhe ndërtesat e mbushura me vrima plumbash të bëjnë të mendosh se je në Rripin e Gazës, më pak se 40 kilometra larg. Ekziston edhe një tunel betoni si ai i Hamasit që ndërtoi për të depërtuar në Izrael nga Gaza.
Por kjo nuk është Gaza – është një bazë e ushtrisë izraelite dhe ushtarët këtu po stërviten për luftë urbane.
“Ne ndërtuam këtu një infrastrukturë të madhe ku përpiqemi të trajnojmë ushtarët se kur luftojnë në një fshat, të dinë se si të luftojnë për t’u siguruar që dallojnë se kush është armiku, ku është armiku dhe kush janë njerëzit që nuk duhet të vrasin”, tha Bentzi Gruber, gjeneral brigade i rezervave të ushtrisë izraelite.
Dymbëdhjetë palestinezë u vranë në ofensivën e fundit dy-ditore në kampin Jenin të refugjatëve. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite thotë se të 12 palestinezët ishin luftëtarë dhe jo civilë, duke e pretenduar këtë si dëshmi se programi i trajnimit në Gazën e Vogël për të reduktuar dëmin kolateral po funksionon.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thotë se dy nga 12 palestinezët e vrarë ishin nën 18 vjeç.
Izraeli ka ngjallur kritika ndërkombëtare për sulmin në Jenin, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së duke akuzuar Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se operacionet si ai në Jenin kanë gjithmonë një efekt negativ tek civilët.
“Edhe nëse beson atë që thotë ushtria se të gjithë ata ishin luftëtarë, kjo nuk do të thotë se ne nuk ndikuam në jetën e mijërave njerëzve — duke shkatërruar infrastrukturën e tyre, duke krijuar probleme të shëndetit mendor për fëmijët, duke krijuar një situatë që edhe një herë kampi i refugjatëve në Jenin, një pjesë e madhe e tij, u shkatërrua dhe do të duhen shekuj për tu rimëkëmbur”, thotë Ori Givati me organizatën ‘Breaking the Silence Advocacy’.
Ushtarët që stërviten në këtë bazë ushtarake praktikojnë gjithashtu me një aparat model për Kupolën e Hekurt të Izraelit, sistemin antiraketë të financuar nga Shtetet e Bashkuara që ka rezultuar të jetë efektiv kundër raketave të lëshuara nga Gaza. Duke imituar realitetin e luftës urbane sa më shumë që të jetë e mundur, zyrtarët izraelitë thonë se synojnë të trajnojnë ushtarët e tyre për të kufizuar dëmet anësore dhe humbjet e jetëve të njerëzve nga të dyja palët./VOA