Uruguaj fitoi duelin e nivelit të lartë me Kilin në Kupën e Amerikës, me gol të shënuar nga Edinson Kavani. Në Brazil, u përcaktuan çiftet çerekfinale.
Mjaftoi vetëm një gol, por tregoi shumë.
Uruguaj-Kili ishte dueli më i fortë në grupe në Kupën e Amerikës, dhe fituesi i tij padyshim që do të merrte vlerësim të lartë.
Këtë e bënë uruguajanët falë rrjetës së shënuar nga Edinson Kavani, duke zënë vendin e parë në grupin C, e duke u quajtur pretendentë për trofeun, edhe më shumë se më parë.
Sulmuesi i Paris SG arriti t’i jepte fitoren ekipit të tij vetëm 8 minuta para fundit.
Dueli i ishte i fortë në stadiumin e famshëm “Marakana” të Rio de Zhaneiros, dhe u ndoq nga një numër i respektueshëm tifozësh, prej më shumë se 57 000 vetëve.
Të dyja skuadrat e kërkuan fitoren, duke luajtur me formacionet më të mira të mundshme, pasi Aleksis Sançez i Kilit e kaloi dëmtimin e pësuar në sfidën e mëparshme.
Përtej aspektit sportiv, spikati sulmuesi i Uruguajit, Luis Suarez, që kërkoi përjashtimin e një lojtari kundërshtar që goditi një tifoz që hyri papritur në fushë, në pjesën e dytë, ndërsa në pjesën e parë kërkoi penallti për prekje të topit me dorë nga portieri.
Tashmë, në Kupën e Amerikës janë përcaktuar çiftet çerekfinale.
Brazili do të ndeshet me Perunë në 27 qershor në Porto Alegre, një ditë më pas, në 28 qershor, do të luhen dy ndeshje, Venezuelë-Argjentinë në Rio de Zhaneiro dhe Kolumbi-Kili në Sao Paulo, ndërsa në 29 qershor, Uruguaj sfidon Perunë në Salvador. /ABC News Albania 24/7