Uruguaj zuri vendin e parë në Grupin A, duke mundur Rusinë 3-0. Të dyja skuadrat ishin kualifikuar, që më parë, për në turin e dytë të Botërorit.
I respektuan plotësisht parashikimet. Uruguajanët, dy herë kampionë të botës, e lanë për në ndeshjen e fundit të grupit që të tregonin forcën e tyre të vërtetë në këtë Botëror.
Jo vetëm fituan ndeshjen përcaktuese për vendin e parë në grupin A, dhe jo vetëm mundën ekipin vendas, Rusinë, por edhe bënë përshtypje të madhe për thellësinë e fitores, 3-0.
Luis Suarez dhe Edinson Kavani ishin autorë të golave, ndërsa Denis Çerishev shkaktoi autogol, në stadiumin e Samarës.
Mëkat për Çerishevin që deri tani kishte shënuar 3 herë për Rusinë, dhe synonte të barazohej me Ronaldon e Lukakun, por zgjodhi portën e gabuar.
Rusët e panë veten në shumë vështirësi, morën disa kartonë të verdhë, dhe mbetën me 10 vetë që në minutën e 36-të kur Igor Smolnikov u përjashtua nga loja me të kuq.
Ky Uruguaj ishte në kontrast të plotë me skuadrën që u pa në fushë në dy takimet e para të grupit, ndaj Egjiptit dhe Arabisë Saudite, dhe që fitoi me shifrat minimale 1-0.
Gjithsesi, të dy ekipet ishin të kualifikuar që më parë, dhe kjo humbje nuk I prishi ndonjë punë të madhe Rusisë, përveçse e dëmtoi nga ana psikologjike.
Formacioni i trajnerit Çerishev krijoi eufori në vendin organizator pas dy fitoreve të thella, ndërsa tani në një farë mënyre u kthye me këmbë në tokë. /abcnews.al