Bashkimi Evropian dhe organizata e vendeve të Amerikës së Jugut Mercosur arritën një marrëveshje për tregtinë e lirë sot samitin në Montevideo. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë marrëveshje si “fitore për Evropën”.
Sipas saj, marrëveshja e re do t’i kursejë kompanive evropiane katër miliardë euro në vit, të cilat deri më tani kanë paguar doganën kur eksportojnë në vendet e Mercosur. Marrëveshja duhet të miratohet nga anëtarët e Bashkimit Evropian, gjë që do të jetë shumë e vështirë duke pasur parasysh kundërshtimin e fortë të Francës dhe disa vendeve të tjera, shkruan Reuters.
Franca e vlerësoi të papranueshme marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Mercosur dhe përsëriti se do ta kundërshtojë, duke deklaruar se do të ketë edhe mbështetjen e Italisë.
Në Francë fermerët organizuan një demonstratë kundër miratimit të marrëveshjes me Mercosur. Shtetet e tjera anëtare, duke përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, e shohin një marrëveshje të tillë si jetike për BE-në, e cila sipas tyre duhet të diversifikojë tregtinë e saj.
Vendet në favor të marrëveshjes e shohin Mercosur si një treg të mirë për makinat, makineritë dhe kimikatet e BE-së dhe një burim potencialisht të besueshëm të mineraleve kritike si litiumi, nga të cilat ata besojnë se do të përfitojnë edhe fermerët evropianë.
Fermerët e BE-së nuk e ndajnë atë optimizëm dhe kanë protestuar vazhdimisht kundër marrëveshjes, duke argumentuar se kjo do të çonte në importe të lira të mallrave të Amerikës së Jugut në Bashkimin Evropian që nuk përmbushin standardet e larta.
Marrëveshja tregtare BE-Mercosur do të kërkonte miratimin e 15 nga 27 anëtarët e BE-së që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian, si dhe një shumicë të thjeshtë votash në Parlamentin Evropian./abcnnews.al