Në vigjilje të Pashkës, kryepeshkopi Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë.
Mesazhin dhe lutjet e tij në këtë moment të rëndësishëm të besimit orotdoks, kryepeshkopi Janullatos i ka adresuar tek popujt e vendeve në luftë, ku çdo ditë humbin jetën njerëz të pafajshëm.
“Himni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës.”
Kreu i Kishës Ortodokse shqiptare ndalet edhe në realitetin e vendit tonë.
“Edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.
Një periudhë reflektimi e quan kryepeshkopi Pashkën, ringjalljen e Jezu Krishtit.
“Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti.”
Kryepoeshkopi Janullatos bën thirrje që qytetarët të afrohen më shumë me Krishtin dhe mesazhet që përçon ringjallja e tij./abcnews.al