Urgjenca e spitalit Hygeia përshtat punën me situatën e COVID, koordinatori: Jemi në shërbim

schedule21:34 - 27 Nëntor, 2020

schedule 21:34 - 27 Nëntor, 2020

Në urgjencën e spitalit Hygeia, vijon puna me kapacitet të plotë, për të trajtuar të gjitha problemet shëndetësore. Në një intervistë për ABC, Dr. Dritan Dushaj, koordinator i urgjencës Hygeia, tregon se pavarësisht kushteve të vështira si pasojë e pandemisë COVID 19, shërbimi për qytetarët nuk është ndalur asnjë moment.

“Pavarësisht periudhës së pandemisë, covid, patologjitë e tjera vazhdojnë. Urgjenca funksionon 24 orë me të gjitha specialitetet. Ka urgjenca kardiake, trauma, të sëmundjes interne, por jemi përshtatur duke parë rrethanat dhe kohën që jetojmë, duke u përpjekur të minimizojmë rriskun e ekspozimit të spitalit, pasi urgjenca është porta hyrëse” tha ai.

Për sa i përket të situatës së pandemisë, doktor Dushaj, sqaron se në këtë urgjencë janë zbatuar të gjithë masat, për të minimizuar risqet e infektimit, duke nisur që nga dhoma e izolimit për ata persona të dyshuar me COVID 19, por edhe duke garantuar të gjitha kushtet higjienike.

“Sigurisht që ka një fluks të rritur të punës, njerëzit kërkojnë cilësinë, sigurinë, shërbimin. Duke pasur parasysh që edhe sistemi publik, ose komplet sistemi shëndetësor është i ngarkuar, ka një fluks të shtuar të punës, qoftë në pacientët që paraqiten në urgjencë, qoftë ambulatorë, qoftë në lëvizjet e ambulancës dhe kërkesat për shërbim për raport të sëmurësh me ambulancë” tha ai.

Një apel për të gjithë qytetarët, në këtë kohë mbetet vetëm kujdesi dhe sinqeriteti me bluzat e bardha, për sa i përket simptomave të cilat ata kanë. “Kërkojmë vetëm të jenë të sinqertë në përgjigjet e pyetjeve që u bëjmë për triazhin, sigurisht që shërbimi do të ofrohet, do të jetë, por vetëm duam transparencën në “feedback”-un e diagnozës që edhe ne të na lehtësojnë” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!