“Urgjenca e QSUT, në maj në normalitet”/ Ministrja Koçiu: Po riparohen dëmet pas zjarrit

schedule11:42 - 15 Prill, 2024

schedule 11:42 - 15 Prill, 2024

Urgjenca e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pritet të kthehet në normalitet brenda muajit maj. Teksa raportoi në Komisionin e Shëndetësisë për zjarrin e rënë në 11 shkurt në urgjencën e re, ministrja Albana Koçiu tha se dëmet po riparohen, për të sjellë situatën në gjendjen para incidentit.

“Janë zhvilluar procedurat për ta rikthyer këtë shërbim në gjendje pune. Kompania ka nisur punën për rehabilitimin, punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për ta rikthyer shërbimin”, tha Koçiu.

Ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa ministrja e Shëndetësisë sqaroi se flakët që përfshinë katin -1 nuk dëmtuan pajisjet biomjekësore.

“Nga të dhënat paraprake nga grupi i punës mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur nga dhomat teknike ku ka patur djegie të kabujve elektrike, pa dëmtuar pajisjet biomjekësore të spitalit.  Falë cilësisë dhe standardeve të ndërtimit si dhe protokolleve të sigurisë që janë aplikuar në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, u arrit që zjarri i rënë në të lokalizohej menjëherë, duke shmangur dëme të rëndësishme materiale dhe mbi të gjitha, duke shmangur dëme në jetë njerëzish”, shtoi ajo.

Ministrja i cilësoi të pavërteta akuzat që e gjitha urgjenca është jashtë funksionit gjatë dy muajve.

“Nuk është e vërtetë që urgjenca është komplet jashtë funksionit. Vetëm hemodinamika ka pësuar ndërhyrje. Kemi 800 raste të pritura në Shefqet Ndroq, 314 në Fier dhe 67 në Shkodër. Do duhet të theksoj se pranë QSUT merret shërbimi i urgjencës, 900-100 raste në ditë, nuk është e vërtetë që urgjenca është komplet jashtë funksioni”, theksoi më tej ministrja e Shëndetësisë.

Ministrja zbuloi se 30 milion lekë janë alokuar për kthimin në funksion të plotë të urgjencës së QSUT.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!