Urdhri i Vuçiç: Ushtria e policia në gatishmëri luftarake

schedule14:43 - 28 Maj, 2019

schedule 14:43 - 28 Maj, 2019

Beogradi zyrtar ka reaguar menjëherë pas aksionit të policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe të popullsisë. Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se kishte urdhëruar ushtrinë dhe policinë që të jenë në gatishmëri të plotë luftarake, por se pavarësisht kësaj, vendi i tij me çdo çmim do të ruajë paqen dhe qëndrueshmërinë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në vazhdim të seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit lidhur me Kosovën, këtë të martë ka komentuar operacionin e policisë kosovare në veri. Sipas tij, veprimet e policisë kanë qenë të dhunshme, ndërsa arrestimet janë vetëm pretekst dhe aksioni ka për qëllim mbjelljen e frikës mes serbëve të atjeshëm.

“Qëllimi dhe dëshira e tyre e vetme është që të marrin veriun e Kosovës, për shkak se ata çmojnë se tashmë kanë marrë dhe kontrollojnë të gjitha hapësirat e tjera në Kosovë”.

Vuçiç informoi deputetët se mëngjesin e sotëm kishte urdhëruar ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë e policisë në shkallën më të lartë. Ai bëri, po ashtu të ditur, se për operacionin e policisë së Kosovës ka biseduar me përfaqësues të KFOR-it dhe të BE-së, porse është ndarë i zhgënjyer: Ata i kanë thënë se operacioni në veri të Kosovës është i shkallës së gjerë dhe ka për qëllim luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. I pakënaqur me këtë, kreu i shtetit serb sikur paralajmëroi ndërprerjen e kontakteve të mëtejshme me strukturat e BE-së dhe të NATO-s në Kosovë:

“E ndërroj telefonin dhe do të jem i pakapshëm për ta për çdo rast të ngjashëm si ky”- tha Vuçiç duke u bërë thirrje serbëve lokalë në Kosovë që të ruajnë gjakftohtësinë, por edhe të jenë të bindur se shteti serb- nuk i ka braktisur:

“Reagimi ynë do të jetë i planifikuar, do të jetë serioz dhe do të jetë i përgjegjshëm dhe aspak i pafuqishëm” – tha Aleksandër Vuçiç gjatë debatit në parlamentin serb duke lënë të kuptohet se, sikurse u shpreh, në rast të përshkallëzimit të konfliktit dhe të sulmeve të mëtejshme kundër popullit serb – Serbia ka për të ngadhënjyer. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!