Urdhëroi ekzekutimin masiv të shqiptarëve në Kosovë, vdes “kasapi” serb

schedule10:51 - 7 Shtator, 2020

schedule 10:51 - 7 Shtator, 2020

I dënuari nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në Kosovë, gjenerali serb Dragolub Ojdaniç ka vdekur në Spitalin Ushtarak në Beograd.

Ojdaniç ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Serbe gjatë luftës në Kosovë.

Si i tillë ai ishte ndër zyrtarët kryesorë serbë që organizoi ekzekutimet masive të civilëve shqiptarë në Kosovë dhe dëbimin e rreth një milion qytetarëve të Kosovës.

Në vitin 2000 ai u emërua ministër i Mbrojtjes i Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në vitin 2002 ishte transferuar në Hagë.

Ndërsa në vitin 2009 u dënua me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë.

“Pranoj plotësisht të gjitha gjetjet që janë bërë në gjykimin [kundër meje]. Çdo gjë që mbetet për mua është të kryej dënimin tim”, shkroi Ojdaniç në një letër që i dërgoi Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi  më 25 janar 2013.

Sipas aktgjykimit, gjenerali “e dinte për fushatën e terrorit, dhunës dhe dëbimeve me dhunë që u bënë nga VJ [Armata Jugosllave] dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, por nuk mori masat efektive që kishte në dispozicion”.

Ai u lirua nga burgu më 2013.

Ojdaniç u akuzua në vitin 1999 bashkë me ish-presidentin serb Milan Millutinoviq, ish-zëvendëskryeministrin jugosllav Nikolla Shainoviç, ish-komandantin e Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviç, ish-shefin e shtabit të trupave të Prishtinës, Vlladimir Llazareviç, dhe ish-shefin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për Kosovën, Sreten Lukiç.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!