Dmitry Medvedev, Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se Kremlini mund të lëshonte një raketë hipersonike në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) pas lëshimit të urdhër arrestit për presidentin rus Vladimir Putin.
“Ekziston mundësia që një raketë hipersonike e lëshuar nga një anije luftarake ruse në Detin e Veriut të godasë ndërtesën e gjykatës në Hagë,” shkroi Medvedev, një besnik i Putinit, i cili gjithashtu ka shërbyer sipresident i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012, në një mesazh në Telegram, sipas medias shtetërore ruse Tass.
ICC lëshoi urdhër-arrestin për Putinin të premten, duke pretenduar se ai është “përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve dhe atë të transferimit të paligjshëm të tyre nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.
Një urdhër tjetër kishte në shënjestër edhe Maria Alekseyevna Lvova-Belova, Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse.
Rreth 16,226 fëmijë janë dëbuar gjatë luftës 13-mujore, sipas shefit ukrainas të të drejtave të njeriut, Dmytro Lubinets.
Presidenti Biden e quajti urdhrin për arrestimin e Putinit “të justifikuar” gjatë fundjavës, duke thënë se ai “ka kryer qartazi krime lufte”.
/abcnews.al