Urdhër-arresti për Putin/ Ligjvënësi rus kërkon ndalimin e aktivitetit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Rusi

schedule13:00 - 25 Mars, 2023

schedule 13:00 - 25 Mars, 2023

Kryetari i Parlamentit të Rusisë ka propozuar ndalimin e aktiviteteve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pasi kjo gjykatë lëshoi urdhër-arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për krime lufte.

Vyacheslav Volodin, aleat i Putinit tha se legjislacioni rus duhet të ndryshohet për të ndaluar çdo aktivitet të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Rusi dhe për të ndëshkuar këdo që jep “asistencë dhe ndihmë” për këtë gjykatë me seli në Hagë.

“Është e nevojshme të punojmë në ndryshimet e legjislacionit për të ndaluar çdo aktivitet të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në territorin e shtetit tonë”, tha Volodin përmes një postimi në Telegram.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë rregulluar ligjin që ndalon që qytetarët amerikanë të gjykohen nga kjo gjykatë dhe se Rusia duhet të veprojë në këtë drejtim.

Çdo asistim apo mbështetje për këtë gjykatë brenda Rusisë, tha ai, duhet të dënohet me ligj.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arrestin më herët gjatë këtij muaji, duke e akuzuar Putinin për krime lufte, përkatësisht për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Gjykata tha se ka arsye të bazuara të besojë se Putini mban përgjegjësi individuale kriminale.

Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar kundër përpjekjeve për ta arrestuar Putinin, që është lider i Rusisë që nga viti 1999. Ata kanë thënë se arrestimi eventual i tij do të përbënte shpallje lufte kundër fuqisë më të madhe bërthamore në botë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!