Urdhër-arreste për 128 anëtarë të personelit ushtarak në Turqi

schedule12:26 - 18 Qershor, 2019

schedule 12:26 - 18 Qershor, 2019

128 anëtarë të personelit ushtarak në Turqi po kërkohen për tu arrestuar nga policia turke me akuzën se janë të përfshirë në përpjekjen për grusht shteti të tre viteve më parë. Më shumë se gjysma e tyre janë arrestuar në Izmir.

Turqia ka lëshuar urdhër arreste për 128 anëtarë të personelit ushtarak, të cilët akuzohen për lidhje me rrjetin të cilin Ankara e konsideron si organizator të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Agjencia turke e lajmeve Anadoll konfirmoi lajmin duke theksuar se policia po kërkon gjysmën e ushtarakëve në Izmir, ndërsa arrestimet e tjera janë kryer në 30 provinca të vendit.

Ata dyshohen se janë mbështetës të klerikut mysliman Fetullah Gylen, i cili jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që akuzohet nga autoritetet turke si ideatori i përpjekjes për grusht shteti tre vjet më parë. Por Gylen ka mohuar gjithnjë akuzat.

Më shumë se 77 mijë persona janë arrestuar deri tani dhe janë ende në pritje të gjyqit. Ndërkohë 150 mijë të tjerë janë hequr nga puna me akuzën e përfshirjes në grusht shteti.

Grupe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe aleatë perëndimorë të Turqisë kanë kritikuar arrestimet, duke thënë se presidenti turk Erdogan po përdor si justifikim përpjekjen për grusht shteti për të arrestuar disidentët.

Qeveria turke këmbëngul se masat e sigurisë janë të domosdoshme për shkak të rrezikut të madh me të cilin përballet Turqia aktualisht, duke premtuar se do të çrrënjosin rrjetin e Gylenit nga vendi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!