Uragani Florens që ka goditur Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka shaktuar pesë viktima deri tani. Por ekspertët paralajmërojnë se pasojat e tij do të jenë vërtet katastrofike, për faktin se uragani do të qëndrojë disa orë në këtë zonë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me uraganin Florens që deri tani ka shkaktuar pesë viktima. E para ka qenë një grua me fëmijën e saj, të cilët humbën jetën pasi një pemë ra mbi shtëpinë e tyre. Një tjetër grua ndërroi jetë si pasojë e një infarkti pasi mjekët nuk arritën në kohë në shtëpinë e saj, meqënëse rruga ishte bllokuar nga pemët e rëna. Ndërsa dy viktimat e tjera janë dy meshkuj, të cilët po përpiqeshin të ndiznin gjeneratorin pas shkëputjes së energjisë elektrike.
Deri tani janë anuluar më shumë se 2100 fluturime ndërsa qendra e emergjencës në Karolinën e veriut bën të ditur se janë 640 mijë banorët pa energji elektrike. Qendra e uraganit ka prekur tokën amerikane në Karolinën e veriut duke goditur fort brigjet amerikane, i shoqëruar nga një seri stuhish. Por pavarësisht se Florens tashmë është në kategorinë e një stuhie tropikale, gjendja e alarmit qëndron pasi sipas ekspertëve kohëzgjatja e qëndrimit në Karolinën e Veriut dhe në atë të Jugut do të provokojë reshje të dendura dhe përmbytje. Janë 10 milionë banorë që preken nga kjo situatë, ndërkohë që 2 milionë prej tyre janë evakuuar.
Florens po avancon me erëra që kapin një shpejtësi prej 150 kilometrash në orë, ndërsa mijëra persona janë detyruar të qëndrojnë në vendstrehime. Niveli i detit në Karolinën e Veriut është ngritur tre metra mbi normalen, por ajo që shqetëson është dhe fakti se në trajektoren e kalimit të uraganit janë dhe 6 centralë bërthamorë. Metereologët paralajmërojnë për reshje të dendura dhe përmbytje.
Ndërkohë dhe në Filipine gjendja është alarmante pas goditjes nga tajfuni Mangkhut. Kreu i Agjencisë Federale për Mbrojtjen Civile u ka bërë apel banorëve se pavarësisht se shpejtësia e erërave është zvogëluar, mund të ketë dallgë që arrijnë deri në 3.5 metra./abcnews.al