“Ura e Zogut” drejt shkatërrimit, Mërgjoni: Marrja e inerteve pa kriter ka degraduar këtë monument

schedule11:25 - 27 Janar, 2021

schedule 11:25 - 27 Janar, 2021

Reshjet e ditëve të fundit kanë dëmtuar edhe më shumë “Urën e Zogut” mbi lumin Mat.

Dedë Mërgjoni, specialist i Trashëgimisë Kulturore tha se nëse për këtë urë nuk do të ketë ndërhyrje të menjëhershme atëherë mundësitë janë që të shkatërrohet.

“Nëse nuk ka një ndërhyrje këtë urë mund ta humbasim. Marrja e inerteve pa kriter ka shkaktuar edhe dëmtim në një prej këmbëve të kësaj ure. Mundësitë për ta ruajtur janë”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës, Mërgjoni tha për gazetarin e “ABC” Gjergji Figuri se dëmtimi më i madh është cedimi i këmbës së urës pasi mund të shkaktohen dëmtime të këmbëve të tjera dhe mund të sjellë edhe rrëzimin e saj

“Problematika e kësaj ure ka filluar me kohë, por reshjet e fundit e nxorën më pah. Marrja e inerteve pa kriter mbetet një ndër shkaqet kryesore të shkatërrimit të saj. Ka një vendim që 500 metra larg në të dy anët e urës nuk duhet të futet makineria e inerteve”, shtoi më tej specialisti.

Më herët kjo problematike është sjellë në vëmendje nga gazetari, duke e trajtuar më gjerësisht fatin e këtij monumenti.

“Miss Ballkani” rrezikon të shembet kështu e nis edhe kronikën, Figuri duke shtuar se “Ura e Zogut”, është një monument kulture që mbrohet nga shteti vetëm në letër.

/abcnews.al/