Edinson Cavani është vlera e shtuar e Manchester United në këtë moment delikat të sezonit. El Matador është një garanci golash, dhe një gjë të tillë po e shfaq edhe te “Djajtë e Kuq”, pavarësisht se këtë sezon ka luajtur jo aq sa duhet.
Owen Heargreavs, ish-mesfushori i Manchester United dhe Bayern Munchen, aktualisht komentator në BT Sport, thur elozhe për 34-vjeçarin nga Uruguai dhe këshillon drejtuesit e klubit anglez se ku duhet të përforcohen në merkato.
“United duhet ta mbajë Cavanin, është i shkëlqyer. Përpara së gjithash mendoj se është një golashënues i madh, e vërtetojnë golat që ka shënuar në pak ndeshje. Cavani është futbollisti më i mirë i United në këto momente.
Sigurisht që të gjithë duan të kenë në skuadër Harry Kane ose Erling Haaland, por kur ke Cavanin, nuk ia vlen të shpenzosh 100 milion paund për një lojtar që luan në të njëjtin pozicion si El Matador.
United ka nevojë të përforcohet në reparte të tjera, ata kanë nevojë për një anësor të djathtë, një qendërmesfushor dhe një qendërmbrojtës. Mendoj se Cavani do të shënonte lehtësisht 25 gola nëse do të kishte luajtur në të gjithë ndeshjet.
Pastaj do të ishte një mentor i mirë për Rashford, Greenwood dhe Martial. Cavani është perfekt, unë nuk e lija të largohej dhe të gjithë paratë do i investoja në pozicione të tjera“, deklaroi Owen Heargreaves. /abcnews.al