“Uniforma ime”, Shulku prezanton projektin në Elbasan

schedule09:54 - 15 Korrik, 2022

schedule 09:54 - 15 Korrik, 2022

“Uniforma Ime” udhëtoi të enjten drejt qytetit të Elbasanit. Me qindra fëmijë e prindër ishin mbledhur përpara stadiumit “Elbasan Arena” ku u prezantua projekti “Uniforma Ime”, një nga projektet më të mëdha të miratuara nga FSHF dhe që do të vihet në plan duke nisur nga muaji shtator.

Ky projekt mjaft me vlerë, jo vetëm për fëmijët futbollistë, nga mosha U-7 e deri në moshën U-19, por edhe për prindërit e Akademitë e futbollit konsiston në dhënien falas të një seti me bazë materiale, duke ndihmuar në buxhetet financiare të familjeve shqiptare.

Të pranishëm në këtë event të rëndësishëm të lançimit të projektit “Uniforma Ime” në Elbasan ishin Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përfaqësuesit e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, drejtues akademish në qytetin e Elbasanit, ish-futbollistë të njohur, figura të shquara të Elbasanit, fëmijë, prindër e trajnerë futbolli.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejtë në xhepin e çdo prindi që ka fëmijë që merren me futboll, pasi i gjithë seti i bazës materiale që përfshin uniformat e lojës, uniformat e stërvitjes, fëshet e stërvitjes, kompletin e tutave dhe çantën e stërvitjes do të ofrohet falas nga FSHF. Shulku foli me shifra, duke theksuar se ky është një projekt që do të kushtojë rreth 1 milion euro dhe do të ketë impakt te 15 mijë fëmijë që merren me futboll, ndërsa numri i tyre pritet të rritet në katër vitet e ardhshme.

“Jam shumë i kënaqur që shoh shumë fëmijë këtu dhe shumë vajza. Tashmë ju e dini që në strategjinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, një nga pikat kryesore është zhvillimi i futbollit të fëmijëve dhe vajzave. Projekti “Uniforma Ime” ka disa ditë që është lançuar. Kemi nisur në disa qytete të Shqipërisë dhe tashmë edhe në Elbasan. Përmes këtij projekti, çdo fëmijë, nga mosha U-7 deri në moshën U-19 do të ketë uniforma falas, (uniformat e lojës, uniformat e stërvitjes, fëshet e stërvitjes, kompletin e tutave dhe çantën e stërvitjes).

Ky është një projekt shumë i madh. Vlera e këtij projekti shkon deri në 1 milion euro nga ku do të përfitojnë rreth 15 mijë fëmijë. Në strategjinë e FSHF-së, kemi si synim rritjen e numrit të fëmijëve që luajnë futboll. Për zhvillimin e futbollit të fëmijëve nuk vlen të përmendet veç ky projekt, por para disa vitesh kemi lançuar edhe projektin “Topi yt”, që është një projekt real.

Çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri, nga mosha U-7 deri në Kategorinë Superiore, topat dhurohen nga FSHF. Një projekt i madh që shkon deri në 1 milion euro. Shumë e rëndësishme është të theksohet se FSHF-ja ka mbuluar në këto vite edhe kostot e zyrtarëve të ndeshjeve, që do të thotë, pagesat e arbitrave, delegatëve dhe vëzhguesve janë mbuluar nga FSHF.

Jam i bindur që ky projekt do të ndikojë edhe në buxhetin familjar të çdo shqiptari që ka fëmijë që merren me futboll. Çdo prind që ka blerë një set për fëmijën e tij, do ta kuptojë shumë mirë tashmë nga shtatori e tutje se në xhepin e tij do të ketë disa të ardhura më tepër. Ju falënderoj për pjesëmarrjen përzemërsisht dhe besoj se do të përfitoni nga ky projekt madhor dhe do të ndihmojë edhe në rritjen e cilësisë së futbollit të fëmijëve” – tha Ilir Shulku në fjalën e tij./ fshf.org