Pedagogu i kriminologjisë, Ervin Karamuço ngriti shqetësimin për kushtet në të cilat punojnë punonjësit e Policisë së Shtetit. I ftuar në studion e ABC Live, Karamuço tha se efektivët punojnë në stres. Ai solli fillimisht si shembull një faktor minimal që ndikon në gjendjen e tyre, uniforma.
Eksperti theksoi se policët mbajnë të veshur jelekë shumë të trashë në temperatura të larta dhe për këtë kanë ankesa pafund. Për pasojë, bën të ditur ai ka një nivel të shtuar të stresit dhe ka sjellë edhe agresivitetin e efektivëve në rrugë.
Ndërkohë, që problemi kryesor është paga që marrin, e cila nuk mbulon shpenzimet e tyre. Karamuço kujton se 400 policë japin dorëheqjen në vit.
Lexo edhe: “Aty po ndodh diçka”, Karamuço: Kam frikë se çështja e Dumanit do të dështojë
“Numri aktual i psikologëve në polici nuk është më shumë se 20, ndërkohë që ne kemi mbi 12 mijë efektivë. Policia ka shtuar agresivitetin në rrugë që do të thotë se ka një problem edhe me stresin. Jelekët që ata kanë veshur janë një thurje e trashë dhe sintetike. Përdorin të njëjtin jelekë. Ka anesa pafund. Ka pasur kontakte nga efektivë dhe thonë a mund të mbahet kjo. Janë të dehidratuar. Ata janë në stres. A mund të veshësh një xhaketë dhe pulovër. Jashtë i kanë pambuqe.
Këto janë stresorët minimalë, nuk po flasim për rrogën që është qesharake. Kemi 400 veta që largohen çdo vit me dorëheqje sepse nuk ia dalin dot. Ky është faji i një strategjie të mirëfilltë. Kam parë dy policë para një jave dhe hanin pica brenda policisë. U thashë pse hani në makinë, por na kanë shtuar oraret thanë. Duhet një status i mirëfilltë. Kanë shumë problematika të mëdha sociale.
U thonë mos e ndiz kondicionerin po mbani xhamin hapur. Më shumë ky shtet humb duke investuar për ti shkolluar dhe për ti bërë efektivë sesa të dyfishosh pagat. Është shumë më mirë të dyfishosh pagat”, tha ai.
Gjatë diskutimeve në studio, Karamuço u ndal edhe tek vdekja e gazetarit Kastriot Myftaraj, i cili u hodh nga kati i katërt banesës ku jetonte. Ndërkohë, që ka enigma për fatin e tij tragjik, eksperti tha se janë disa pyetje të cilat ai i ka bërë publike, që policia duhet t’u japë përgjigje për të pasur një panoramë të qartë për atë që ka ndodhur. Megjithatë, Karamuço tha se janë duke u kryer hetime intensive.
“Unë kam bërë një shkrim dhe ka të bëjë që për të shuar të gjitha këto debate që janë normale, duhet që të zgjidhen përmes atyre pyetjeve. Në momentin që kemi përgjigje kemi të qartë çfarë ka ndodhur. Po bëhen hetime, ekzaminime. Dhe unë pres një përgjigje dhe të dalin të thonë, boll më me këto. Sa më pak të flitet dhe të bëhet transparencë aq më shumë do të shtohen dilemat”, tha eksperti. g.v/abcnews.al