Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar ndaj shprehjeve diskriminuese krahinore.
“Unë jam krenar që jam malësor”, ka thënë ai. Ndër të tjera Manja është shprehur se e mbështet punën e bërë nga organet e vettingut, por sa i përket gjuhës së urrejtjes e dënon atë dhe nuk ka më asnjë koment më shumë.
Ndër të tjera ministri ka komentuar edhe vendimin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ku ka theksuar se nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim dhe janë shumë vende që e kanë të miratuar.
Sipas tij një vendim i tillë do të ndikojë në rritjen e ekonomisë së vendit dhe qytetarët janë në favor, nuk ka arsye për të thënë jo.
“Natyrisht që dje janë bërë të ditura paraprakisht rezultatet e Këshillimit Kombëtar. Ka qenë një konsultim i hapur me qytetarët për një kategori temash të caktuara. Sigurisht në ditët në vazhdim sipas pyetjeve që iu janë shtruar qytetarëve do të kemi edhe një analizë më konkrete.
Por pse jo, nëse legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore i shërben ekonomisë së vendit dhe rritjes së punësimit, janë iniciativa që nxisin ekonominë dhe janë të paktën me aq sa u parashtrua nga rezultatet e Këshillimit Kombëtar, qytetarët shprehen në favor të saj. Ndërkohë, kanabisi për qëllime të tjera nuk besoj, ne kemi një kuadër të plotë në fuqi, kemi Kodin Penal në fuqi, por kanabisin për qëllime mjekësore nuk jemi ne të vetmit që e kemi ligjëruar”, ka thënë Manja./abcnews.al