Banorët protestojnë më kot, pasi qeveria nuk ka nxjerrë asnjë vendim për prishje. Kështu e shpjegon ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili sqaron procedurat që përcaktojnë kur dhe sa objekte do të prishen.
“Nuk ka një proces prishjeje të godinave përkatëse. Gjithçka është e stisur politikisht për t’u kapitalizuar në një kauzë, e cila për mendimin tim nuk do të ketë shumë vlerë për ata që e mbështesin”, tha gjiknuri.
E konceptuar për t’u ndërtuar që në vitin 1989, Unaza e Madhe e Tiranës sot nuk duhet të shndrrohet në një arenë përplasjesh tha ministri Gjiknuri.
“Kështu që në këtë pikëpamje nuk ka pasur asnjë devijim të projektit. Projekti është nisur në gjurmët e konceptit të Unazës së Madhe”, u shpreh ai.
Me qetësi ta presin lajmin banorët që preken nga projekti, këshillon Damian Gjiknuri, i cili përsërit se kush ka certifikatë pronësie do të shpronësohet, të tjerët do të trajtohen me bonus qeraje.
“Banorët një pjesë që kanë dokumentet kanë vajtur në zyrat e ARRSH-së, mbi 40-50 përqind e tyre dhe bëj thirrje që nuk shkon shteti të ulet dhe të trajtojë dokumentacion zyrtar. Të gjithë banorët që kanë dokumente apo kërkojnë zgjidhje kanë zyrat hapur te ARRSH për të vajtur me dokumentacion përkatës”, tha ministri.
Shpjegimet ia dha kolegëve të tij socialistë në komisionin e ekonomisë ku raportoi mbi afatet dhe kostot e rrugëve që janë në proces. Një prej tyre është autostrada Tiranë-Elbasan që pavarësisht dëshirës së kryeministrit për ta mbyllur në fund të vitit, mund të dojë edhe disa muaj sipas ministrit Gjiknuri.
“Brenda disa muajve ajo rrugë do të jetë jo e hapur, por e dorëzuar. Ne synojmë që të hapet deri në fillim të Janarit, pra të jetë e kalueshme në njërin krah, por si përfundim i veprës unë mendoj që pranvera e vitit tjetër e gjen të përfunduar se nuk shoh ndonjë të papritur, veçse po qe dështimi i kontraktorit”, tha ai.
Një tjetër rrugë që po shihet me përparësi në tavolinën e qeverisë është Qukës-Qafë Plloçë. Duhen më shumë para për ta përfunduar tha ministri Gjiknuri, se sa i është lënë në dorë specialistëve dhe ekspertëve të rrugëve të bëjnë përllogaritjet e fundit./abcnews.al