I ka ashpërsuar tonet kryeministri Edi Rama në raportimin javor të zgjidhjeve të ankesave qyetarëve pasi i adresohen platformës së bashkëqeverisjes. Duke iu referuar protestave të banorëve të Unazës së Re kreu i qeverisë i dha mesazhin se zaptuesit e pronës publike nuk do të dëmshpërblehen.
Nuk ta zgjidh çdo hall platforma e bashkëqeverisjes. Kjo vlen edhe për banorët që protestojnë në Unazën e Re në Tiranë. Arsyet pse janë në një udhë pa krye për kërkesat e tyre ia sqaron kryeministri Edi Rama në ditën e falenderimeve që qytetarët i bëjnë pasi kanë marrë përgjigje pas 10 ditëve nga koordinatorët e bashkëqeverisjes.
“Dëmshpërblim nga ku? Nga buxheti i shtetit, i cili është kontributi i të gjithëve për të ndërtuar çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë, spitale, për të rritur pagat, pensionet, nga gjithë ky buxhet duhet të marrim para për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë me nga 5, 6, 7, e deri 8 vila e biznese të ndërtuara gjatë gjithë periudhës së rrumpallës së madhe? Kjo është e papranueshme dhe sigurisht që kjo nuk gëlltitet dhe as nuk tretet në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë”, tha Rama.
Këtë të mërkurë tonet e qeta të kreut të qeverisë kanë ndryshuar kur i drejtohet banorëve që protestojnë për rreth 17 ditë.
“Kështu që thirrja ime është që ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen e tyre duke u bërë për më tepër gazi i botës dhe ‘mish për top’ i atyre tjerëve që s’u ka mbetur asgjë në kokë dhe në shpirt, por vetëm flamurin e shqyer të një opozite që shkon, bllokon rrugën dhe bën thirrje për paligjshmëri”, tha Rama.
Kjo nuk do të thotë që ata që kanë hall të mos shkruajnë në platformën e bashkëqeverisjes, përkundrazi, aty marrin një herë e mirë përgjigjen se problem i tyre ose zgjidhet pas 10 ditësh ose hiq dorë se shtetin e ke kundër./abcnews.al