Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit ka vijuar punën për ti hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë. Mjetet e rënda mëngjesin e të mërkurës janë ndalur pranë zonës së Doganës, ku shembi tre ndërtesa të tjera, të cilat funksiononin si biznese.
Ky biznes pa leje është i 19-ti i cili është shembur për ti hapur rrugë ndertimit të Unazës se Madhe në Tiranë. Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit, mëngjesin e së mërkurës e ka vijuar aksioni në zonën pranë Doganës, ku shembi tre ndërtesa të tjera të cilat funksiononin si biznese. Pronarët e tyre sipas Bashkisë së Tiranës, kanë bashkëpunuar dhe kanë larguar vetë pajisjet elektroshtëpiake nga godinat.
Individëve apo familjeve që zotërojnë ndërtime pa leje në gjurmën e unazës, bashkia thotë se i ka ofruar si mundësi zgjedhje banesa sociale pa afat përdorimi ose bonus qiraje për tre vite. Ndërkohë, për rreth 46 objekte me leje në segmentin nga pallati me shigjeta deri tek sheshi “Shqiponja” Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar procesin e vlerësimit. ARRSH thotë se për këto ndërtesa po përgatit dosjet për t’i dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe më pas Këshillit të Ministrave me qëllim përgatitjen e vendimit të shpronësimit për pronarët e tyre./abcnews.al