Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën thirrje qytetarëve që preken nga projekti i unazës së madhe në Tiranë të mirëpresin grupet e punës për të bërë vlerësimin korrekt të banesave të tyre. Ndërkohë ARRSH ka akuzuar opozitën për spekulim me koston e ndërtimit të rrugës.
Inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar të hëneën do të shkojnë në çdo shtëpi apo biznes që preket nga projekti i unazës së madhe të Tiranës për ta vlerësuar përfundimisht dhe në prani të pronarit të saj.
Këtë e ka bërë të ditur përgjegjësja e Sektorit të Sigurimit të Tokës pranë këtij institucioni.
“Kjo në mënyrë që të mundësohet dalja e Vendimit të Këshillit të Ministrave me vlerat përkatëse të shpronësimit në një kohë sa më të shpejtë. Deri më tani, 50% e qytetarëve që posedojnë dokumenta pronësie janë paraqitur pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Janë të lutur të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente pronësie të paraqiten sa më shpejt pranë zyrave të ARRSH.”
Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar akuzoi opozitën se po spekulon me qëllim kur thotë ndërtimi i 1 kilometri rrugë nga mbikalimi i sheshit “Shqiponja” deri tek pallati me shigjeta kushton 18 deri nëe 20 milionë euro.
Autoriteti Rrugor Shqiptar tregon se për 7.02 kilometra do të investohen 8.3 milionë euro. Ndërtimi i 2.34 kilometrave me karakteristikat e një autostrade urbane kushton 5.3 milionë euro, ndërsa për 4.68 kilometra rrugë dytësore do të shkojnë 3 milionë euro.
Pjesa tjetër e fondeve të planifikuara do të investohen për ndërtimin e nyjës tek sheshi “Shqiponja” dhe katër nënkalimeve dhe mbikalimeve. Realizimi i këtij projekti në tërësi do të marrë 40 milionë euro. /abcnews.al