Amnesty International ka bërë thirrje që urdhri i Izraelit që civilët palestineze të largohen nga Rripi i Gazas brenda 24 orëve, të anulohet menjëherë.
Sipas Amnesty International kjo është një kërkesë e pamundur dhe se mund të kthehet në një zhvendosje të detyruar të popullsisë civile gjë e cila është edhe një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.
“Izraeli nuk mund ta trajtojë Gazën veriore si një zonë ku mund të njoftojë një urdhër të tillë”, thuhet në reagim. Forcat izraelite duhet të ndërrmarin të gjitha masat e mundshme për të minimizuar dëmtimin e civilëve kudo që ndodhen në Gaza, theksohet më tej në deklaratë.
Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty, Agnes Callamard tha se me këtë urdhër forcat izraelite po vënë në lëvizje zhvendosjen masive të detyruar të 1.1 milionë njerëzve.
“Me këtë urdhër, forcat izraelite po vënë në lëvizje zhvendosjen masive të detyruar të më shumë se 1.1 milion njerëzve nga qyteti i Gazës dhe e gjithë pjesa veriore e Rripit të Gazës. Kjo ka shkaktuar panik në mesin e popullatës dhe ka lënë mijëra palestinezë të zhvendosur brenda vendit që tani flenë në rrugë, duke mos ditur se ku të ikin apo ku mund të gjejnë siguri mes një situate bombardimi të vazhdueshëm”, ka thënë ajo./abcnews.al/