Sezoni i kaluar ishte i paharrueshëm për tifozët e Flamengos. Skuadra braziliane u shpall kampione në Brazil, duke siguruar titullin e shtatë kampion në histori. Djemtë e Jorge Jesus shkëlqyen edhe në Kupën Libertadores, kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Amerikën Latine.
Finalja kundër River Plate ishte e çmendur, Gabriel Barbosa shënoi dy gola në minutat e fundit, përmbysi avantazhin e argjentinasve dhe dërgoi trofeun e madh në Rio De Janeiro pas 38 viteve. Flamengo po përgatitej për të rinisur stërvitjen këto ditë, por koronavirusi ka prishur planet. Globoesporte raporton se 8 raste me COVID-19 janë regjistruar në një nga klubet më të dashura të popullit brazilian.
Diçka e tillë rrezikon rikthimin e skuadrës në fushat e stërvitjes. Drejtuesit e Flamengos kanë marrë masa në lidhje me krizën ekonomike. Ata kanë arritur akordin me futbollistët për uljen e rrogave me 25%, ndërsa 6% e punëtorëve të klubit janë shkarkuar nga detyra që mbanin. /abcnews.al