Bizneset dhe qytetarët kanë ulur nivelin e transaksioneve në euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në qershor janë transferuar 368 milionë euro ose 77 milionë më pak në krahasim me muajin maj të këtij viti. Drejtori i Shoqatës së Zyrave të këmbimit valutor, Dritan Vakaj thotë se një gjë e tillë ishte e pritshme.
Në një intervistë për “Money Report”, Vakaj tha se një ndër faktorët që ka ndikuar është rënia e transaksioneve në pasuritë e paluajtshme.
“E pritshme duke parë edhe uljen e transaksioneve të kryera në pasuritë e paluajtshme. Qeveria lançoi iniciativën e transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Kjo u pasua me një frenim të transaksioneve në pasuritë e paluajtshme dhe kjo ka dhënë ndikim të fuqishëm në numrin e transaksioneve dhe në vlerë pasi çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rritje të ndjeshme vitet e fundit dhe kanë prekur këtë element të qarkullimit në vend. Ka pasur edhe një element pozitiv që ka stopuar rënien e mëtejshme të euros për shkak të sezonit.”, u shpreh Vakaj.
Duke u ndalur te kursi i këmbimit, Vakaj tha se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk luajnë njërol të madh në këtë drejtim.
“Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë janë minimaliste për të stabilizuar në afatshkurtër në një luhatje spekulative. Flasim për një stok të lartë të euros në treg kështu që ndërhyrjet janë të pritshme. Nuk themi dot se BSH luan një rol në stabilizimin e kursit valutor. Është e papërfillshme roli i saj në këtë diskutim. Padiskutim që e mbikëqyr, e monitoron por nga pikëpamja e fiksimit të çmimeve, është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që BSH të jetë motori kryesor i kësaj gjëje.“, shtoi ai./abcnews.al