Ulja e infektimeve, Ulqinaku: Tani njerëzit duan ta bëjnë vaksinën me qëllim për të ikur jashtë

schedule19:31 - 16 Qershor, 2021

schedule 19:31 - 16 Qershor, 2021

Nga Ema Shazivari

Me përmirësimin e situatës epidemiologjike, ka rënë dhe puna e specialistëve të ISHP. Shifrat janë të papërfillshme, dhe sipas nëndrejtorit të këtij institucioni, Dritan Ulqinaku, kjo krijon mundësinë për t’u fokusuar në zgjidhjen e problemeve të krijuara gjatë pandemisë.

Një prej tyre është edhe mungesa e laboratorëve për evidentimin e varianteve të reja të virusit. “Ne vazhdojmë fuqizimin e laboratorëve, edhe me stafet e tjera të epidemiologjisë duke krijuar një databaze të fuqishme. Nuk e kemi trysninë e ditëve të para, jemi më të qetësuar, por puna jonë nuk ndalon” tha ai.

Normalizimi i situatës ka ndikuar te qytetarët, të cilët kanë humbur interesin për t’u vaksinuar. Ulqinaku thotë se pjesa më e madhe, e marrin dozën për arsye udhëtimi. “Interesi nuk është më ai i ditëve të para, pasi perceptohet se rreziku është i ulët, njerëzit duan ta bëjnë vaksinën për efekte dokumentacioni sesa për efekt shëndetësor” tha ai.

Prej më shumë se dy muajsh, në vendin tonë nuk është shënuar asnjë rast riinfektimi me covid. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!