TIRANË- Niveli i varfërisë në vendin tonë ka pësuar ulje. Statistikat e INSTAT tregojnë se treguesi është ulur me rreth 5.4%.
Nga të dhënat rezulton se në vitin 2023 janë rreth 31 mijë persona më pak që janë vlerësuar nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt vitin 2022.
Ulje më të ndjeshme të rrezikut për të qenë të varfër ka në grupmosha 18-64 vjeç.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e ftuar në “Money Report” në ABC News, tha se sektori i ndërtimit dhe turizmi kanë shtuar rolin e tyre, në uljen e shkallës së varfërisë në Shqipëri.
Ajo pohoi se rritja ekonomike e vendit ka zbutur klimën e varfërisë, dhe shumë familje kanë patur më shumë të ardhura në buxhetin e tyre.
“Turizmi dhe ndërtimi janë dy sektorë, që kanë kontribuuar në të ardhurat e qytetarëve. Punonjësit kanë marrë nivele më të larta të pagave. Rritja ekonomike e vendit ka ndikuar në uljen e varfërisë në vend”, tha ajo.
Ajo pohoi se edhe rritja e pagave ka dhënë efektin e vet, si në sektorin publik ashtu dhe atë privat.
“Sektori privat dhe publik kanë rritur pagat dhe kanë krijuar kushtet e favorshme për ata individë, që janë forcë pune”, tha ajo.
Për të vijuar këtë tendencë rënëse të shkallës së varfërisë, ekspertja thotë se qeveria duhet të hartojë më shumë politika sociale. Po ashtu, Radonshiqi sugjeron, që duhet të shikohet me prioritet skema e pensioneve.
“Ka nevojë më shumë për politika sociale në vend dhe të shikojë më prioritet skemën e pensioneve”, theksoi ajo./abcnews.al

