Ulet konsumi i karburanteve në korrik e gusht, tkurret turizmi i brendshëm

schedule07:18 - 10 Gusht, 2022

schedule 07:18 - 10 Gusht, 2022

Konsumi i karburanteve vijoi tkurrjen edhe në korrik, ndërsa të dhënat e ditëve të para të muajit gusht tregojnë se tendenca rënëse është thelluar.

Sipas të dhënave nga Doganat, në korrik u importuan 53.4 mijë ton karburante, me një rënie prej 11% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur pothuajse në nivelin e vitit 2020, kur vendi po vuante nga pasojat e kufizimeve për shkak të pandemisë (shiko grafikun: Importet e karburanteve, korrik).

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se përgjithësisht në këtë periudhë pritej që importet të rriteshin edhe me 2 mijë ton (rreth 3-5% më shumë), por ato kanë rënë realisht me gati 7 mijë ton.

Sipas Shoqatës, arsyeja kryesore e rënies së konsumit të karburanteve në vend lidhet me makinat që vijnë nga rajoni për turizëm, të cilët ishin një nga faktorët kryesorë që ndikonin rritjen në sezonin e verës. Tashmë për shkak të diferencës së lartë në çmim, me rreth 30-60 lekë për litër, asnjë makinë me targa nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Malit të Zi nuk i afrohet stacioneve shqiptare të karburanteve.

Ndërsa makinat e rajonit kanë ndikuar në 60% të rënies, pjesa tjetër sipas Shoqatës lidhet me frenimin e lëvizjeve të brendshme për qëllime turistike, apo që kanë reduktuar qarkullimin për shkak të çmimeve të larta. Ndërsa konsumi i përhershëm minimal, sipas Shoqatës është në nivele pothuajse të pandryshuara.

Rënia pritet të thellohet në gusht

Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, tendenca e ditëve të para të gushtit tregon se rënia do të thellohet.

Në pesë ditët e para të gushtit konsumi ka rënë me 3.6 mijë ton, ndërsa nëse vazhdohet me këtë ritëm, tkurrja mujore mund të jetë -15 mijë ton. Në gusht të vitit të kaluar, sipas Doganave, importet e karburanteve kishin arritur rekordin e 68.6 mijë ton.

Arsyet vijojnë të mbeten të njëjta si në korrik. “Korriku dhe gushti gjithnjë arrijnë kulmin e konsumit dhe në një pjesë të madhe kjo vjen nga rajoni. Por, tani diferenca në çmim për një litër ka arritur në 30 deri në ne 58 lekë nga Mali i Zi në Maqedoni”, tha Shoqata. Kjo diferencë lidhet me taksat e larta që ka mbi naftën vendase, teksa përveç taksave kryesore si TVSH e qarkullimi janë dhe shumë të tjera që “askush” në botë nuk i ka”.

Që prej fillimit të marsi, çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm në vend, duke kulmuar në 265 lekë në mes të muajit qershor, si rrjedhojë e shtrenjtimit në bursa. Aktualist nafta po tregtohet me 217 lekë për litër, ose 13% më shumë se në shkurt.

Që në mars, kur filloi shtrenjtimi, konsumi reflektoi tkurrjen. Për 6 mujorin e parë të vitit, importet e karburanteve kanë rënë me 9.2% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare (sjiko grafikun: Importet e karburanteve sipas muajve). Vetëm për 5 mujorin mars-korrik, tkurrja është 14.5%.

Burimi: Doganat
Burimi: Doganat
/monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!