Ulen kreditë e këqija/ Banka Qendrore: Rënie në muajt e fundit, arrin nivelin 4.7 për qind

schedule15:00 - 9 Gusht, 2024

schedule 15:00 - 9 Gusht, 2024

Qytetarët shqiptarë por edhe bizneset kanë vijuar që të jenë korrekt në pagesat e kredive. Tregues për këtë fenomen është niveli i kredive të këqija i cili vijon të ulet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në qershor të vitit 2024 niveli i kredive të këqija në vend  arriti nivelin 4.70%  nga 5.20% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu ky tregues është përmirësuar edhe në krahasim me një muaj më parë ku niveli i huave me probleme ka qenë më i lartë.

Për të stabilizuar inflacionin Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normën bazë të interesit politikë kjo që jep ndikim direkt në shtrenjtimin e kësteve të kredive nga qytetarët. Por  fatmirësisht kjo nuk ka ndikuar në përkeqësimin e bilanceve të shlyerjes së huave të mara në banka.

Qëndrueshmëria e nivelit të kredive të këqija është një tregues  pozitiv për  ekonominë si në aspektin e sistemit bankar por edhe  për qytetarët.

Tashmë Banka Qendrore ka nisur politikën e uljes së normave të interesit nga 3.25 % në 3%.ky vendim ndikon direkt në lehtësimin e kredi marrësve pasi  ul  shumën që duhet të paguhet për këstet nga qytetarët apo bizneset.

Inflacioni i ulët është një sinjal që Banka e Shqipërisë mund të vijoj politikën e uljes së normave të interesit në vijim duke lehtësuar qytetarët në pagesën e kësteve të kredive që kanë në monedhën kombëtare.

Treguesit e huave me probleme gjatë këtij viti konfirmojnë se rritja e normave të interesit  nga Banka Qendrore por edhe ajo Europiane për kreditë duket se nuk ka ndikuar në përkeqësimin e aftësisë paguese në vend. Nëse krahasojmë nivelin e kredive të këqija me të njëjtën  periudhë të  disa viteve më parë shifrat konfirmojnë përmirësim.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, cilësia e portofolit të kredive është përmirësuar gjatë  pjesës së parë të vitit 2024 duke rrëzuar pritshmëritë fillestare, sipas të cilave inflacioni dhe rritja në nivele rekord e normës bazë të interesit do të rriste nivelin e kredive me probleme.

NIVELI I KREDIVE TE KEQIA

Qershor 2024    4.70%

Qershor 2023    5.20%

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!