Ulen çmimet e karburanteve në bursa, kur do të mblidhet Bordi?!

schedule12:51 - 2 Qershor, 2022

schedule 12:51 - 2 Qershor, 2022

Prej më shumë se dy muajsh, çmimi i karburanteve në vendin tonë është duke u caktuar nga një bord i posaçëm, i quajtur Bordi i Transparencës, i përbërë nga përfaqësues të ministrive të linjës, tatimeve, doganave si edhe të kompanive të importit të karburanteve.

Bordi filloi punën si një masë për të parandaluar rritjen abuzuese të çmimit të karburanteve në fillim.

Të paktën kështu u tha. Por duket se gjatë javëve të fundit, ka mjaft ankesa në lidhje me efektivitetin e vendimeve të këtij bordi, i cili duket se mblidhet vetëm në momentet kur çmimi i karburanteve në bursë është i lartë, gjë ndikon negativisht në xhepat e qytetarëve në rastet kur çmimi i karburanteve në bursë ulet.

Cmimi i naftes ne burse teksa shkruheshin keto radhe

Rasti konkret është gjatë dy ditëve të fundit. Bordi u mblodh një ditë më parë, kur çmimi i naftës në bursa kaloi mbi 121 USD për fuçi, më i larti gjatë javëve të fundit.

Gjatë mbledhjes së djeshme, referuar zhvillimeve në bursa, bordi vendosi që një litër naftë në vend të shitej me 248 lekë, kurse një litër benzinë me 244 lekë.

Mirëpo sot çmimi i naftës në bursa ka rënë ndjeshëm duke zbritur deri në 112 USD për fuçi, por deri më tani nuk ka patur një mbledhje të bordit për të rishikuar çmimin sipas realitetit të ri të krijuar.

Rrjedhimisht, nëse çmimi i naftës vijon në këto nivele dhe shqiptarët vazhdojnë ta blejnë naftën dhe benzinën me çmimin kur në bursa ishte mbi 120 USD/ fuçi, do të thotë se vendimi i djeshëm i bordit ka avantazhuar kompanitë dhe ka marrë para pa të drejtë nga xhepat e konsumatorëve shqiptarë.

Sa më shumë të zgjatët mbledhja e bordit, me kushtet e reja të krijuara, aq më tepër kjo do të ndikojë negativisht në xhepat e shqiptarëve.

Çdo justifikim tjetër në këtë situatë nuk përputhet me realitetin, për aq kohë sa thuhet se vendimet e bordit merren sipas çmimit të karburanteve në bursë. /E-Senja

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!