Ulen çmimet e banesave. Banka Qendrore: Në fund të 2022 u ulën më 9 për qind

schedule12:13 - 30 Prill, 2023

schedule 12:13 - 30 Prill, 2023

Çmimi i shitjes së banesave në vend ka hyrë në një fazë normalizimi. Pavarësisht qëndrueshmërisë së kërkesës dhe rritjes së kostove të ndërtimit, agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme kanë raportuar çmime shitjeje më të ulëta në fund të vitit 2022.

Në raportin e stabilitetit financiar Banka e Shqipërisë vlerëson se sipas indeksit Fischer çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar është ulur me 9.1% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar.

Ndërkohë që  Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë regjistroi një ulje prej 11.4% ndaj periudhës paraardhëse.Sipas Bankës së Shqipërisë në të njëjtën  kohë pritet një ngadalësim i fluksit të ndërtimeve të reja, si edhe rritje të konsiderueshme të kostove të ndërtimit. Kjo pasi  numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2022 ishte rreth 14% më i ulët ndaj së njëjtës periudhë një vit më parë, ndërsa sipërfaqja përkatëse ishte 17% më e ulët.

Sipas Bankës së Shqipërisë koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 10 muaj nga 10.8 muaj..Në zonën bregdetare  rezulton se koha e shitjes së një apartamenti është më e shkurtër me vetem vetëm 6 muaj.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, më shumë se gjysma 56% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura janë blerë me hua bankare.

Kredia për blerje pasurish të paluajtshme nga individët arriti në 170 miliardë lekë, duke u rritur me 4.7% gjatë periudhës dhe me 14.2% kundrejt një viti më parë.

Por për shkak të normave të interesit bankat janë treguar më të kujdesshme në dhënien e huave. Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 20.2% e tyre janë refuzuar nga bankat ku peshën kryesore e mbajnë refuzimet për individët.

Sipas Bankës së Shqipërisë vihet  re se gjatë periudhës, bankat duken më të fokusuara në kreditimin e segmentit të ndërmarrjeve, veçanërisht për ato të mëdha, norma e refuzimit për të cilat ka rënë si në terma gjashtëmujorë, edhe në terma vjetorë/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!