Ukrainë, 98-vjeçarja eci mbi 10 kilometra për të ikur nga forcat ruse

schedule09:46 - 30 Prill, 2024

schedule 09:46 - 30 Prill, 2024

Një grua ukrainase 98-vjeçare ka thënë se ka ecur 10 kilometra, mes granatimeve, duke u mbështetur në shkopinj dhe duke fjetur në tokë, për të lënë Ocheretynen në Donetsk, tash i kontrolluar nga Rusia dhe për të shkuar në zona të cilat janë të kontrolluara nga Kievi.

Në një video të postuar në rrjetet sociale të hënën nga policia ukrainase, gruaja e identifikuar si Stephanivna, ka thënë se ka ecur pa ngrënë dhe pa pirë duke u rrëzuar disa herë, por sipas saj, “karakteri” i saj e ka mbajtur të fortë, shkruan Reuters.

“I kam mbijetuar Luftës së Dytë Botërore dhe jam duke i mbijetuar edhe kësaj lufte”, ka thënë Stepanivna në një video, ku shihet e ulur në një shtrat në një strehimore, e veshur me një pallto të madhe dhe me një shall të lidhur rreth kokës së saj dhe me një shkop të cilin e mban ende në dorë. “Por, e lash Ukrainën time në këmbë”.

Ajo ka thënë se lufta të cilën po e bën Rusia kundër vendit të saj, nuk është aspak si Lufta e Dytë Botërore.

“Shtëpitë janë duke u djegur dhe pemët janë duke u shkulur”, ka thënë ajo.

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë në një deklaratë në faqen zyrtare të saj se gruaja është zbuluar nga ushtria ukrainase në mbrëmje e cila më pas e ka dërguar në Polici, e pastaj e njëjta e ka strehuar në strehimore ku po mbahen personat të cilët kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

“Forcat e rendit janë duke kërkuar për familjarët e saj”, ka thënë ministria.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është duke hyrë në vitin e tretë dhe nuk duket ta ketë përfundimin afër, pasi ka vrarë mijëra njerëz dhe i ka kthyer qytetet dhe fshatrat e Ukrainës në rrënoja, duke bërë që miliona njerëz të shpërngulen.