Ukraina vazhdon kundërofensivën në juglindje

schedule09:28 - 8 Gusht, 2023

schedule 09:28 - 8 Gusht, 2023

Kundërofensiva ukrainase ndaj forcave ruse ka vazhduar në juglindje të shtetit, tha Kievi më 8 gusht, përderisa shifrat e viktimave nga një sulm rus me raketa në qytetin Pokrovsk një ditë më parë është rritur në shtatë të vrarë dhe pothuajse 70 të plagosur.

Trupat ukrainase kanë vazhduar të kryejnë sulme ndaj ushtrisë pushtuese ruse në drejtim të Berdijanskut dhe Melitopolit në provincën e Zaporizhjës, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Në njoftimin e ushtrisë u tha se forcat ukrainase kanë kryer nëntë sulme ajrore një ditë më parë, duke shënjestruar zonat ku ushtria ruse “ka përqendruar personelin, armët dhe pajisjet ushtarake”.

Trupat ukrainase kryesisht kanë qenë në defanzivë që kur Rusia nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, Kievi ka nisur kundërofensivën e tij gjatë kësaj vere.

Forcat ruse kanë kryer shtatë sulme me raketa dhe 42 sulme ajrore gjatë 24 orëve të fundit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se numri i viktimave nga sulmi rus me raketa më 7 gusht në qytetin Pokrovsk në rajonin e Donjeckut është rritur në të paktën shtatë dhe 67 të plagosur, teksa puna për kërkim-shpëtim ka rinisur mëngjesin e së martës.

Sipas ministrisë, në mesin e të plagosurve janë 29 zyrtarë policorë, dy punëtorë të shpëtimit dhe dy fëmijë.
Një fotografi e postuar nga ministria në rrjetet sociale shfaqi një bllok banesash të dëmtuar rëndë, me katin e sipërm të shkatërruar plotësisht.

Zyrtarët rajonalë thanë se dy raketa goditën Pokrovskin më 7 gusht, duke shkaktuar dëme në ndërtesa të banuara dhe administrative, një hotel dhe disa dyqane./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!